Rajoni i Ballkanit po mbetet gjithnjë e me më pak banorë

Demografia e Evropës juglindore po i vë në rrezik shpresat për mirëqenie.

Evropa juglindore gjendet në një situatë të njohur si Catch-22 (një dilemë ose rrethanë e vështirë nga e cila nuk ka shpëtim për shkak të kushteve të ndërsjella ose të varura nga njëra-tjetra). Problemet e shumta të rajonit po i shtyejnë njerëzit e rinj dhe të talentuar të largohen me shumicë. Mirëpo nuk do t’ia dalë të kapet me pjesën tjetër të Evropës në mungesë të njerëzve të rinj, të talentuar në mënyrë që të gjenerojë mirëqenie dhe prosperitet. Në të gjithë Ballkanin, popullsia po zvogëlohet dhe po plaket, dhe në rast se një gjendje e këtillë nuk ndryshon, edhe më shumë njerëz do të largohen, shkruan The Economist.

Matja e demografisë në Ballkan është proces i vështirë: përveç atyre për lindshmërinë dhe vdekshmërinë, të dhënat tjera vështirë se mund të sigurohen. Një shofer kamioni që largohet nga Beogradi për të gjetë një vend pune në Gjermani, nuk ka pse t’ua tregojë këtë gjë autoriteteve serbe. Për shkak të historisë së ndërlikuar të rajonit, miliona qytetarë të saj mund të marrin pasaporta nga “vendet amë” fqinje. Këto janë veçanërisht tërheqëse nëse vendi amë i përket BE-së pasi nënshtetësia e BE-së përfshin të drejtën për të punuar kudo brenda këtij Bashkimi. Një e pesta e poseduesëve të pasaportave kroatë që punojnë jashtë vendit vijnë me siguri nga Bosnja, dhe pothuajse të gjithë moldavët që punojnë në Perëndim kanë dokumente të shtetit rumun. Krejt kjo e bën shumë të vështirë të tregohet se kush është ku.

Popullsia e çdo vendi ballkanik po zvogëlohet për shkak të emigrimit dhe fertilitetit të ulët. Në të kaluarën, popullsia rritej përsëri pas valëve të emigrimit, pasi shumë gra kishin gjashtë fëmijë. Tani pak prej tyre kanë më shumë se një fëmijë. Serbia mund të ketë më shumë pensionistë sesa njerëz në moshë pune duke filluar nga viti i ardhshëm.

Në planin afatshkurtër, qeveritë nuk e kanë problem emigrimin sepse kjo ul papunësinë dhe rrit dërgesat nga jashtë. Mirëpo, në planin afatgjatë, thotë Vladimir Nikitovic, demograf serb, kjo është diçka “katastrofike”. Rreth 50,000 njerëz largohen nga Serbia çdo vit. Nga ata që kthehen, rreth 10,000 janë pensionistë që kanë kaluar jetën e tyre duke punuar në Perëndim. Fëmijët e tyre nuk do t’u vijnë atyre pas.

Sipas parashikimeve aktuale, Bullgaria do të ketë 39% më pak njerëz deri në vitin 2050 sesa kishte në vitin 1990 (shiko grafikun). Rajoni ka disa nga nivelet më të ulëta të lindshmërisë në botë. Gratë boshnjake kanë mesatarisht 1.3 fëmijë dhe gratë kroate 1.4. Kosova, me një moshë mesatare 29 vjeç, ka popullsinë më të re të rajonit, por shkalla e lindshmërisë së saj prej 2.0 (vetëm nën nivelin e zëvendësimit) gjithashtu ka rënë për vite me radhë. Diku tjetër, normat janë të ngjashme me ato të vendeve të Evropës Perëndimore. Por, për shkak se Ballkani pothuajse me shumë vështirësi merr taksat që i paguajne emigrantët, paratë për pensionistët janë të pakta.

Efektet e tkurrjes së popullsisë janë të ashpra. Në kulmin e pushimeve verore, Rasnov, një qytet i bukur i vendosur në kodrinat Transilvaniane të Rumanisë, i cili dikur kishte një treg përplot me gjallëri, është jashtëzakonisht i zbrazët, rrallë sheh ndonjë kafene të hapur. Disa gjenerata më parë, popullsia e saj etnike saksone, rrënjët e së cilës shpiejnë në Mesjetë, u nis për në Gjermani. Romanët e saj etnikë kërkojnë punë diku tjetër. Ata dërgojnë para në shtëpi për prindërit në moshë, por shumë pak prej tyre kthehen veç atëherë se kur dalin në pension. Pse të punosh në një kafene në Rasnov kur mund të bësh të njëjtën gjë për shumë më tepër para jashtë vendit?

Disa nga qytetet e rajonit janë rritur. Cluj, një qytet tjetër në Transilvani, po lulëzon. Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, po tërheq gjithashtu njerëz brenda vetës. Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, thotë se po përballet me një fluks prej 25,000 njerëzve çdo vit. Megjithatë, të gjitha këto janë përjashtime.

Ky lloj kombinimi i emigrimit të shpejtë, lindshmërisë së ulët dhe imigrimit të rrallë na jep rezultatin më të keq të imagjinueshëm, thotë Kresimir Ivanda, demograf kroat. Greqia, Italia dhe Spanja kanë shkallë të ulët të lindshmërisë, mirëpo tërheqin shumë emigrantë. Në Poloni, më shumë se një milion ukrainas kanë mbushur boshllëqet në tregun e punës të lënë nga emigracioni.

  1. Nikitovic ka punuar për një komision kombëtar për zgjidhjen e krizës demografike të Serbisë, mirëpo, sipas tij, qeveria, nuk ka bërë aq sa duhet për t’i vënë në jetë idetë e saj për më shumë ndryshime. Sikurse në shumë vende të Ballkanit, problemet janë me bollëk. Gratë janë të dekurajuara që të kenë më shumë fëmijë nga mungesa e mbrojtjes kundër pushimit nga lehonia  atëherë kur mbesin shtatzëna. Udhëtimi i lirë me aeroplan e bën më të lehtë kërkimin e punës jashtë vendit (ose e ka bërë një gjë të tillë para se të goditej COVID-19). Në rrethana normale, kroatët që punojnë në shërbime kujdestarie në Britani ose Rumunët të cilët punojnë në thertoret gjermane mund të lëvizin në vende pune afatshkurtra andaj ky fakt i përkeqëson mungesat e vendeve të punës në vendin e tyre e cila nga ana tjetër rrit pagat. Ivan Vejvoda, nga Instituti për Shkencat Njerëzore në Vjenë, mendon se plotësimi i nevojave të Evropës Perëndimore duke mos i zbrazur vendet e Ballkanit të popullit të tyre kërkon veprime të bashkërenduara nga BE dhe shtetet e rajonit.

Sigurisht, për qytetarët e vendeve të Ballkanit, të fitosh paga më të mira jashtë vendit është një dobi. Remus Gabriel Anghel, një demograf rumun, thotë se përvojat e migrimit të 15 viteve të kaluara kanë qenë gjithashtu një lëvizje e ndryshimeve shoqërore. Më parë, njerëzit thjesht donin të siguronin para të mjaftueshme për ti mbulur shpenzimet e tyre; tani ata që kanë jetuar në Evropën perëndimore kërkojnë shkolla, spitale dhe shërbime më të mira. Kjo, thotë zoti Anghel, është diçka që qeveria “vërtetë nuk e kupton”./Economist