Qyteti i bregdetar i Shëngjinit tërheq çdo vit dhjetëra mijëra vizitorë nga Kosova | Foto nga : Elvis Hila/BIRN

Turizmi në Shqipëri hap mundësi biznesi për kosovarët

Prej 10 vitesh Noriman Hasani nga Ferizaj ka hapur një biznes në Shëngjin. Restorantin “fastfood” ai e ka ngritur në qendër të plazhit të qytetit bregdetar dhe operon vetëm gjatë sezonit turistik.

Por Hasani nuk është i vetmi kosovar që ka hapur biznes në këtë zonë turistike.

Përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit numërohen rreth 250 biznese të ndryshme që janë ngritur nga shtetas kosovar dhe operojnë vetëm gjatë 3 muajve të sezonit turistik. Ata janë lehtësisht të identifikueshëm nga emrat, shërbimet, produktet që ofrojnë si dhe nga klientela që i frekuenton.

“Duke qenë se Shëngjini është një qytet bregdetar afër Kosovës, më pëlqeu si vend dhe vendosa të hap një biznes të vogël këtu,” tregon Noriman Hasani, i cili nënvijëzon se fillimet kanë qenë të vështira por më pas u ambientua dhe ndjehet mirë në Shëngjin.

“Në fillim jemi paragjykuar pasi ishim të ardhur, por që shumë shpejt u ambientuam me vendin këtu,” shtoi ai.

Hasani thotë se gjatë 5 viteve të fundit ka një rënie të të ardhurave, por që gjithsesi mbetet i kënaqur, ndërsa shton se pushtetit vendor dhe ai qendror duhet të investojnë më shumë në përmirësimin e shërbimeve.

Noriman Hasani preh 10 vitesh ka hapur një ‘fastfood’ në Shëngjin | Foto : Elvis Hila/BIRN

“Të them të drejtën të ardhurat kanë rënë gjatë 5 viteve të fundit e kjo do thotë se kemi punë më pak, por gjithsesi jemi të kënaqur, pasi e kemi si burim jetese aktivitetin 3-mujor këtu në Shëngjin,” tha ai.

“Taksat nuk janë shumë të larta por duhet të ketë shërbime më shumë, duhet të përmirësohen me doemos shërbimet që të tërheqim turistë, pasi të them të drejtën këtu ka problem me papastërtitë dhe infrastrukturën” shtoi Hasani

Industria e turizmit zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë dhe është një burim i madh dhe i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, në vitin 2018 Shqipërinë e vizituan 5.9 milionë vizitorë, nga të cilët 2.78 milionë kanë ardhur për të kaluar pushimet. Shtetasit e huaj, referuar të dhënave të vitit 2018, kanë kaluar mesatarisht 4,3 netë qëndrimi në Shqipëri, duke shpenzuar mesatarisht 52 euro në ditë.

Rreth 2 milionë shtetas kosovarë e vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2018, duke përbëre 35 % të numrit total të vizitorëve në vend. Rreth 92 % e shtetasve kosovarë kanë ardhur në Shqipëri për pushime, duke shpenzuar mesatarisht 3.8 ditë në hotel dhe shpenzime mesatare ditore për person të vlerësuara në 43 euro.

Duke qenë se Shëngjini frekuentohet mesë shumti nga shtetas kosovarë, edhe bizneset e ngritura prej sipërmarrësve të vegjël nga Kosova në fushën e shërbimeve kanë ardhur në rritje gjatë dekadës së fundit.

Bizneset që administrohen nga shtetas kosovarë janë të identifikuara dhe nga bashkia e Lezhës. Drejtori i të ardhurave vendore në këtë bashki, Arben Ndoj tha se janë rreth 250 biznese të tilla në Shëngjin nga 2900 që janë të regjistruar gjithsej në territorin e bashkisë Lezhë.

“Në Shëngjin kemi 250 biznese që administrohen nga shtetas kosovarë. Ata operojnë vetëm gjatë sezonit turistik dhe janë kryesisht byrektore, restorante tradicionale kosovare, furra buke, por ka dhe tregtar ambulant që shesin në shëtitore,” tha Ndoj.

“Duhet theksuar fakti se këto biznese operojnë në përputhje me të gjitha rregullat dhe janë taksapagues të rregullt në bashkinë e Lezhës” tha Ndoj.

Sipas tij, në Shëngjin ka shumë shtetas kosovarë që kanë blerë apartamente dhe shumica prej tyre i lëshojnë me qira për pushuesit gjatë periudhës së verës.

Në këtë mënyre Shëngjini mund të konsiderohet pa frikë dhe si qyteti i kosovarëve gjatë stinës së nxehtë, pasi tashmë ata nuk janë vetëm pushues në këtë zonë turistike por i janë drejtuar kësaj zone edhe me bizneset e tyre.

Selim Nejova nga Prizreni i cili ka një byrektore në Shëngjin prej 9 vitesh thotë se shumica e klientëve janë nga Kosova.

“Unë kam 9 vite që kam marrë me qira një dyqan këtu në Shëngjin dhe kam ngritur një byrektore dhe aktivitetin e ushtroj vetëm gjatë 3 muajve të verës,” tha Nevoja, duke shtuar se gatimin e ka të stilit kosovar dhe mbi 70% e klientëve janë shtetas kosovarë.

Selim Nevoja nga Prizëreni administron një byrektore në Shëngjin | Foto : Elvis Hila/BIRN

“Na identifikojnë kollaj nga emrat që ju kemi vendosur bizneseve,” shpjegoi ai. “Me këtë aktivitet siguroj të ardhura për të mbajtur familjen dhe jam shumë i kënaqur, pasi dhe njerëzit janë shumë mikpritës,” përfundoi Nejova.

Shqetësim për sipërmarrësit kosovarë dhe vendas në Shëngjin mbetet sezoni turistik mjaft i shkurtër.

Pjerin Mulloja nga Fushë-Kosova kërkon ndërhyrjen e autoriteteve për zgjatjen e sezonit turistik, pasi kjo do të thotë më shumë të ardhura për ta dhe të gjithë sektorin privat.

“Unë kam 10 vite këtu në Shëngjin, por ajo çfarë është shqetësim është sezoni turistik i cili është mjaft i shkurtër,” tha ai, duke shtuar se pushteti vendor dhe ai qendror duhet ti paraprijë me herët përgatitjeve për sezonin turistik që të nisë me 1 maj e të vijojë deri në muajin tetor.

“Kjo do ishte një ndihmesë mjaft e madhe për ne dhe të gjithë sektorin privat këtu në Shëngjin, pasi do të thotë më shumë të ardhura,” shtoi Mulloja, duke nënvizuar se aktualisht punojnë vetëm 60 ditë në vit. (reporter.al)