Së paku një i vdekur dhe 5 të plagosur nga shpërthimi në një rafineri në Rumani

Së paku një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur nga një shpërthim në një rafineri të naftës së papërpunuar Petromidia në Rumani.

Shkaqet e shpërthimit që ndodhi më 2 korrik ende janë duke u hetuar, thonë zyrtarët.

Pamjet e publikuara nga televizioni Digi24 TV nga një plazh aty afër të cilat janë dërguar nga një turist, tregonin tymin e zi që ngrihej lartë.

Rafineria është në pronësi të Rompetrol, pjesë e Grupit Ndërkombëtar KazMunayGas të Kazakistanit.

Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit po punojnë për të izoluar dhe shuar zjarrin, tha Silviu Cosa, prefekti i qarkut Konstanca ku ndodhet Petromidia.

Ai tha se zjarri nuk paraqet rrezik për një shpërthim të ri.

Kryeministri i Rumanisë, Florin Citu, tha se ka udhëzuar zyrtarët qeveritarë të vlerësojnë gjendjen në terren nëse është e nevojshme, të bëhet evakuimi i turistëve dhe banorëve tjerë.

Rafineria është ndërtuar gjatë komunizmit vetëm disa kilometra në veri të portit të Konstancës në Detin e Zi dhe në afërsi të Mamaia, vendpushimi më i madh detar i vendit.

Ministri i Mjedisit i Rumanisë, Barna Tancos, tha për mediat se shpërthimi nuk përbën rrezik të menjëhershëm për njerëzit, por rreziku i një aksidenti të madh mjedisor është ende i lartë. REL