Nikolla Gruevski - Foto: REL/AP

Maqedonia e Veriut do të nxjerrë në shitje asetet e konfiskuara të ish-kryeministrit Gruevski

Agjencia shtetërore ka bërë të ditura planet për të shpallur ankand për pronat e konfiskuara të ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe të ish-shefit të tij të Policisë sekrete, Sasho Mijalkov, që potencialisht kapin vlerën prej rreth 29 milionë eurosh.

Apartamente dhe parcela për komplekse ndërtimi që ndodhen në lagje prestigjioze, si dhe patundshmëri të tjera që dikur i përkisnin ish-kryeministrit të arratisur, Nikola Gruevski, dhe kushëririt të tij, Sasho Mijalkov së shpejti të nxirren në shitje – ka bërë të ditur Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara e Maqedonisë së Veriut.

“Gjithçka që ka mbetur pa u shitur më parë do të shitet në pajtim me verdiktet (e Gjykatës).” – ka njoftuar Irena Ilievska, drejtoreshë e Agjencisë, për Televizionin Telma të hënën, duke shtuar se ankandi do të shpallet sa më shpejt që është mundshme.

Shteti pret të fitojë 29 milionë euro prej shitjeve, me rreth 8 milionë euro prej aseteve të Gruevskit dhe rreth 21 milionë euro të tjera prej atyre të Mijalkovit.

Asetet e konfiskuara të Gruevskit përfshijnë dy apartamente në lagjen prestigjioze të Shkupit, Crnicë, si dhe tri të tjera në kompleksin rezidencial luksoz, Panorama, që ndodhet në një lagje tjetër të njohur të Shkupit, Vodno.

Parcelat për ndërtim në Vodno dhe në zona të tjera të vendit pritet të shiten gjithashtu.

Apartamentet e Gruevskit llogaritet se kapin vlerën prej 1.9 milionë eurosh, derisa parcela për ndërtim kapin shumën prej rreth 5.8 milionë eurosh.

Sundimtari autoritar i vendit nga viti 2006 deri më 2016 u arratis në Hungari më 2018, për t’iu shmangur vuajtjes së dënimit me burg prej dy vjetësh për blerje të paligjshme të një limuzine luksoze.

Por, shumë procese të tjera gjyqësore kundër tij vazhdojnë të mbahen në mungesë.

Në njërën prej tyre, Gruevski u dënua me nëntë vjet burg për blerje të paligjshme të pronës me para, që ishin destinuar për donacione për partinë e tij konservatore, VMRO DPMNE.

Mbetet e paqartë nëse Gruevski do të vuajë ndonjëherë ndonjërin prej dënimeve me burgim për shkak se disa prej rasteve dhe dënimeve ndaj tij janë vjetruar për shkak të një ndryshimi kundërthënës të Kodit Penal më 2023, që tani po kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

Gruevski ka ngulmuar se të gjitha rastet kundër tij ishin të motivuara politikisht.

Planet e Agjencisë kanë edhe pengesë. Për shitjen e aseteve, së pari duhet të marrë leje prej Qeverisë, që aktualisht drejtohet prej pasuesit të Gruevskit në krye të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Mijalkov, i cili në kohën e qeverisjes së Gruevskit drejtoi Policinë tashmë të shpërbërë Sekrete dhe shihej si eminenca gri, është përballur edhe me një mori akuzash të tjera.

Më 2021, në verdiktin e instancës së parë, ai ishte dënuar me 12 vjet burgim për orkestrimin e përgjimeve ilegale të mijëra njerëzve ndërmjet viteve 2008 dhe 2015. Rasti është kthyer për Rigjykim dhe më 2023 u hoq dorë prej akuzave ndaj tij falë ndryshimeve të Kodit Penal.

Por, shumica e aseteve të tij që janë për shitje lidhen me një rast tjetër, me emrin “Perandoria”, ku ai dhe të tjerët akuzoheshin për krime të ndryshme ndërmjet viteve 2002 dhe 2013 – përfshirë lidhje kriminale, mashtrim dhe shpëlarje parash.

Në këmbim të një marrëveshjeve me Prokurorinë në këtë rast më 2022 dhe pranimit të fajësisë, ai u dënua me tre vjet burgim dhe konfiskim të aseteve të tij në vlerë prej 30 milionë eurosh. Pas vuajtjes së hises së dënimit, u lirua për sjellje të mirë.

Asetet e tij të konfiskuara përfshijnë 25 banesa, një parcelë ndërtimi në qendër të Shkupit dhe biznese të tjera, si dhe tokë për ndërtim. Derisa një hise e tyre tashmë ishin shitur, të tjera në vlerë prej 21 milionë eurosh nuk janë nxjerrë ende në ankand.

Më 2024, Kompania e djalit të Mijalkovit, Jordan, “Best Way Investments” bleu tri banesa dhe një garazh në Vodno që ishte konfiskuar prej babait të tij – duke paguar 300 mijë euro për to.

Ligji ia ndalon personit të dënuar – asetet e të cilit janë konfiskuar – që të marrë pjesë në ankand.

Nga anglishtja: Rexhep Maloku