Porti i Tivarit në Mal të Zi. Foto: Qeveria e Malit të Zi.

Mali i Zi planifikon të ndalojë magazinimin e cigareve në Tivar për të luftuar kontrabandën

Të shqetësuara nga reputacioni i vendit si një qendër për kontrabandën e cigareve të falsifikuara në Evropë, autoritetet kanë njoftuar planet e tyre për të ndaluar magazinimin e duhanit në portin kryesor të Tivarit.

Mali i Zi njoftoi të enjten fillimin e një procesi ligjor për të ndaluar magazinimin e produkteve të duhanit në portin kryesor të vendit, atë të Tivarit, si pjesë e masave për të parandaluar kontrabandën e duhanit dhe cigareve, për të cilat vendi është i njohur.

“Raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim mbi vëllimin e madh të tranzitit të paligjshëm dhe futjen e paligjshme në treg të produkteve të duhanit në territorin e Malit të Zi. Ata gjithashtu theksojnë se aktivitetet në portin e Tivarit tregojnë ekzistencën e rreziqeve të sigurisë”, tha qeveria.

“Në dy javët e ardhshme, ministritë kompetente do të analizojnë se çfarë pasojash do të ketë në buxhetin e shtetit ndalimi i magazinimit të cigareve”, shtoi ai.

Që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990, Tivari ka qenë një qendër e njohur për kontrabandën e cigareve.

Policia në vitin 2019 sekuestroi 1.7 milion paketa cigaresh me vlerë rreth 3.9 milionë euro. Në gusht 2018, policia arrestoi 10 zyrtarë doganorë nga porti për kontrabandë cigaresh, po kjo nuk u shoqërua me ndonjë dënim.

Në maj të vitit 2019, një investigim i BIRN tregoi se Mali i Zi ishte kthyer përsëri në qendrën e një mashtrimi global të kontrabandës së duhanit, duke futur në BE miliona cigare të falsifikuara përmes përdorimit të anijeve “fantazmë” dhe duke përdorur dokumente të rreme.

Një raport i vitit 2019 nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, një OJQ, tha se porti i Tivarit ishte pika kryesore në Malin e Zi për kontrabandën e cigareve të ashtuquajtura “të lira të bardha”.

Ato eksportohen nga Mali i Zi kryesisht nga kompani offshore, duke përdorur rrugë të ngjashme dhe shpesh të njëjta anije peshkimi “fantazmë” ose anije të vogla mallrash, të cilat lundrojnë në Mesdhe pa transmetuar pozicionet e tyre. Shumica e dërgesave rendisin Libinë si destinacionin e tyre përfundimtar, por edhe në Egjipt, Qipron Veriore dhe Liban.

“Disa depo në port mbahen vetëm për cigare kontrabandë dhe kompanitë private merren me ngarkimin dhe shkarkimin e kontejnerëve. Ky nivel aktiviteti mund të jetë i mundur vetëm me bashkëpunimin e zyrtarëve të portit, të doganave dhe policisë”, thuhej në të njëjtin raport.

Në 26 maj, një nga udhëheqësit e koalicionit në pushtet Frontit Demokratik, Nebojsa Medojeviç, akuzoi autoritetet për tolerimin e kontrabandës së duhanit në Tivar.

Më 15 qershor, policia hyri në port dhe hetoi kompanitë që magazinonin cigare në zonën e lirë, por nuk raportuan ndonjë aktivitet të paligjshëm. Mediat kanë shkruar se autoritetet malazeze dhe britanike po kontrollojnë katër kompani të regjistruara në Panama.

Në nprogres raportin e Malit të Zi për bvitin 2020, Komisioni Evropian paralajmëroi se numri i ndjekjeve penale të filluara për këtë çështje ishte i pamjaftueshëm, duke marrë parasysh shkallën e vlerësuar të kontrabandës së duhanit në të gjithë vendin. reporter.al