Holanda paguan kompensim për qindra viktima të Srebrenicës

Një komision i krijuar për të kompensuar të afërmit e disa viktimave të gjenocidit të Srebrenicës për shkak se trupat paqeruajtëse holandeze dështuan në mbrojtjen e tyre, ka paguar miliona euro si kompensim për 611 viktima.

Komisioni Holandez i Kompensimit Potocari i dërgoi raportin përfundimtar organizatës “Nënat e Srebrenicës” në prag të përkujtimit të 29-vjetorit të gjenocidit të mërkurën, duke thënë se ka bërë 2,337 pagesa kompensimi për vdekjen e 611 viktimave.

Gjykata e Lartë holandeze vendosi në korrik 2019 se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e rreth 350 burrave boshnjakë që kishin kërkuar siguri në kompleksin e OKB-së në Potocari, afër Srebrenicës, por më pas iu dorëzuan forcave serbe të Bosnjës më 13 korrik 1995 dhe më pas u vranë,

Gjykata tha se batalioni holandez veproi në mënyrë të paligjshme sepse e dinte që burrat ishin në rrezik serioz për t’u sulmuar ose vrarë. Vendimi i saj vlerësonte se nëse do të ishin lejuar të qëndronin në bazën e OKB-së, ata do të kishin dhjetë për qind shans për të mbijetuar.

Vendimi nënkuptonte që te vejave të viktimave do t’u jepeshin 15,000 euro kompensim dhe të afërmit e tjerë të mbijetuar do të merrnin 10,000 euro.

Në vitin 2021, Komisioni Holandez i Kompensimit Potocari hapi një zyrë në Sarajevë dhe një faqe interneti për të lejuar të afërmit të parashtronin kërkesat e tyre për kompensim.

Nga data 15 qershor 2021 deri më 15 qershor 2023, familjarët e viktimave të gjenocidit mund të paraqisnin kërkesa për dëmshpërblim.

Komisioni mori më shumë se 8,000 kërkesa për dëmshpërblim, të cilat kishin të bënin me gjithsej 2,690 viktima.

Shuma totale e pagesave deri më tani nuk është bërë e ditur. Në qershor 2023, ishte afërsisht 12 milionë euro pasi ishin miratuar 1,145 aplikime.

Kada Hotiç nga “Nënat e Srebrenicës” tha se dëmshpërblimi ishte dhënë vetëm sepse organizata paditi qeverinë holandeze dhe ministrinë e mbrojtjes.

“Ne arritëm të dëshmojmë se Holanda mori pjesë në këtë gjenocid, sepse ata e pranuan përgjegjësinë. Kjo është e rëndësishme për shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, por paratë janë minimale”, tha Hotiç.

Hotiç tha se ajo mori kompensim për burrin e saj që u vra në gjenocid, por jo për djalin e saj.

“Për djalin tim, ata më thanë se ai nuk ishte atje (brenda kompleksit të OKB-së), se ai ishte parë në një vend tjetër dhe se e kishin dëgjuar këtë nga njerëz të tjerë”, tha ajo.

Vendimi i Gjykatës së Lartë holandeze bëri një dallim midis njerëzve që ndodheshin brenda kompleksit dhe atyre që ndodheshin jashtë tij.

Sipas raportit të Komisionit, e drejta për pagesë u zgjerua edhe për viktimat që nuk ishin në listën origjinale të viktimave prej 350 personash.

“Të afërmit më pas duhej të vërtetonin se familjari i tyre i vdekur ishte në bazën e OKB-së më 13 korrik 1995. Si rregull, kjo bëhet duke paraqitur deklarata të dëshmitarëve okularë”, tha Komisioni.

Në raport thuhej gjithashtu se Komisioni ishte i vetëdijshëm se kërkimi i deklaratave të detajuara nga dëshmitarët okularë mund të ishte një barrë e madhe emocionale.

“Ngjarjet e tmerrshme në Srebrenicë lanë gjurmë të thella tek të gjithë të mbijetuarit”, tha ai.

Artikulli fillimisht është publikuar në BalkanInsight.