Rahovecasit nuk i pëlqen asfaltimi i rrugës, kanos policin

Asfaltimit i një rruge në Rahovec nuk i ka pëlqyer një qytetari të këtij qyteti, duke e penguar zhvillimin e punimeve.

E për këtë, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës sot, pasi që edhe ka kanosur zyrtarin policor duke i thënë: “ Nga sot, ose ti, ose unë këtu do të jemi”.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakvoës, Nysret Xhurkan.

Sipas tij, rasti ka ndodhur rreth orës 08:30 në rrugën “Salajdin Mullabazi”.

“Sot rreth orës 08:30, gjatë asfaltimit të rrugës “Salajdin Mullabazi” në Rahovec, i dyshuar M.R. Po ashtu nga Rahoveci, nga pakënaqësia me punën e asfaltimit ka penguar punëkryerjen. Në këtë kontest ka vepruar patrulla policore, dhe i dyshuari ka kanos dhe penguar zyrtarin policor me fjalët: ” Nga sot, ose ti, ose unë këtu do të jemi’”, ka thënë Xhurkan për KALLXO.com.

Tutje Xhurkan ka thënë se i dyshuari është në mbajtje për 48 orë.

“I njëjti është shoqëruar ne lokalet e policisë, është konsultuar Prokurori kujdestar dhe i dyshuari dërgohet në ndalim policor prej 48 orësh”, ka shtuar ai.