Komuna e Rahovecit - Foto: KALLXO.com

Rahoveci anulon aktivitetet për 28 Nëntorin

Komuna e Rahovecit ka anuluar të gjitha koncertet festive të planifikuara për nder të Ditës së Flamurit – 28 nëntorit.

Ky vendim sipas kryetarit, Smajl Latifi erdhi në shenjë solidarizimi për dëmet e mëdha dhe viktimat që humbën jetën për shkak të tërmetit të sotëm në Shqipëri.

“Jemi duke ndjekur me shumë dhimbje të gjitha zhvillimet dhe për rrjedhën e aktiviteteve të tjera do të ju lajmërojmë me kohë”, ka njoftuar Latifi në rrjetin social ‘Facebook’.

KALLXO.com raportoi se edhe Komuna e Gjilanit, në shenjë solidariteti me viktimat e tërmetit dhe familjet e tyre në Shqipëri, ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për shënimin e 28 Nëntorit, për ditën e martë dhe mërkurë.

Komuna e Gjilanit do t’i mbaj aktivitetet e parapara vetëm të enjten, më 28 nëntor.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për ndihmë në Republikën e Shqipërisë pas tërmetit të sotëm.

Edhe një termet tjetër në Shqipëri