Rahovec, shërbimi i hemodializës jofunksional që nga viti 2017

Pajisje të reja të papërdorura ndonjëherë po qëndrojnë në repartin e hemodializës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Rahovec.

Ky repart është përuruar në vitin 2017, por nuk u përdor asnjëherë nga pacientët e kësaj ane.  Reparti ka mbetur i pashfrytëzuar për shkak të mosmarrëveshjes së institucioneve të shëndetësisë.

 

Kjo ka shkaktuar revoltë te pacientët e këtij qyteti që shërbimet duhet t’i marrin në Prizren.

Shaban Islami, qytetar i Rahovecit për KALLXO.com ka rrëfyer me mllef vështirësitë për t’i marrë këto shërbime në Prizren.

“Në Rahovec krejt i ka pajisjet, por këta të spitalit çka kanë bë nuk e di. Ne vijmë në Prizren tri herë në javë . Rruga është shumë e mundimshme. Dializën me bë në Rahovec, qe sa vjet janë aparatet e rinj edhe janë kauçët e rinj, pse spe qelin deri tash”, thotë ai.

Edhe qytetari tjetër, Gjergj Gashi thotë se rruga është shumë e mundimshme.

“Në ora 11 të natës kthehemi në shtëpi, është shumë vështirë”, thotë ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka treguar për KALLXO.com pse ky repart nuk u funksionalizua asnjëherë.

“Pajisjet janë në rregull, reparti është o kompletuar dihet që vendi ku parashihet të hapet dhe të funksionalizohet reparti i hemodializës janë investime tërësisht të komunës dhe pajisjet janë tonat, inventari është i yni, mirëpo shërbimet i kanë përgjegjësi spitali rajonal I Prizrenit, dhe SHSKUK-ja.”, ka shtuar më tej Latifi.

Latifi po ashtu ka treguar se në pandemi ka pasur kërkesë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë që të lëshohet ky repart përkohësisht, por se nuk është pajtuar me këtë.

“Jemi të interesuar që pacientet tanë të marrin shërbime të rregullta, jo vetëm në pandemi por edhe pas pandemisë në Rahovec. Edhe përgjegjësinë për stafin e kanë ata që janë përgjegjës për shërbime sekondare në këtë rast Ministria e Shëndetësisë”, tha ai për KALLXO.com

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shërbimi i hemodializës bën pjesë në ato sekondare dhe terciare dhe nuk mund të jepet si shërbim në QKMF.

“Bazuar në Ligjin për Shëndetësi, shërbimi i dializës bie në nivel të shërbimeve të Kujdesit Dytësor Shëndetësor dhe mund të organizohet në nivel të Spitaleve të Përgjithshme dhe të QKUK-së. Sipas Ligjit të Shëndetësisë dhe Ligjit për Vetëqeverisje lokale, komunat kanë të drejtë të organizojnë shërbime të nivelit të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH-QKMF-QMF-AMF-Punkte shëndetësore)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

“Dializa, pra është shërbim shëndetësor i nivelit dytësor (sekondar) dhe mund të organizohet në nivel të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, por jo në nivel të kujdesit parësor shëndetësor”, thuhet më tej.

Në anën tjetër, Spitali i Prizrenit ka thënë për KALLXO.com se janë të gatshëm që të japin ndihmë me staf për këtë repart në çfarëdo kohë që hapen shërbimet.

Investimet në hemodializën e Rahovecit ishin bërë në kohën sa ka qenë kryetar komune, Idriz Vehapi nga PDK.

Ky i fundit ka thënë për KALLXO.com se para të bënin investimet kanë biseduar me zyrën ligjore të Ministrisë së Shëndetësisë.

Komunës së Rahovecit projekti në tërësi i ka kushtuar 306 mijë e 660 euro dhe shuma që ka investuar kjo komunë është 169 mijë e 324 euro, ndërsa donatori i projektit, kompania Meditech ka përkrahur projektin me 137 mijë e 337 euro.