Rahovec, gjuan me armë në aheng, qëllon aksidentalisht një person

Një burrë është arrestuar, pasi që dyshohet se ka qëlluar aksidentalisht një person teksa ka shtënë me armë zjarri në një aheng.

Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23 në fshatin Dobidol të Rahovecit.

I plagosuri, sipas Policisë së Kosovës po vazhdon të trajtohet në Spitalin Rajonal të Gjakovës për shkak të plagës së shkaktuar nga një predhë e plumbit.

I dyshuari me inicialet N. M. 54 vjeçar me vendim të prokurorit është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Policia njofton se është konfiskuar një pistoletë prodhim turk me një karikator dhe katër gëzhoja të kalibrit 9mm.

Ndaj të dyshuarit janë iniciuar rastet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.