Foto: Ilustrim

Rahovec, arrestohet një nxënës pasi ekspozoi pistoletën në hapësirat e shkollës

Policia në Rahovec ka arrestuar një nxënës të shkollës së mesme ’12 Maji’ në fshatin Ratkoc pasi posedonte armë në mënyrë të paautorizuar.

“Njësia e Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Rahovec, me të pranuar një informatë se një nxënës i Shkollës së Mesme “12 Maji” në fshatin Ratkoc, posedonte armë në mënyrë të paautorizuar, kanë filluar hetim preliminar dhe është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari, mashkull, i lindur në vitin 2005, nxënës i Shkollës së Mesme “12 Maji”- njofton Policia.

Tutje, sipas Policisë, i njëjti gjatë marrjes në pyetje (në prani të avokatit) ka pranuar se më 6 dhjetor kishte ekspozuar në hapësirat e shkollës një pistelotë të llojit “Beretta”.

“I njëjti gjatë marrjes në pyetje (në prani të avokatit mbrojtës) ka pranuar se me datën 06.12.2022, në hapësirat e shkollës kishte ekspozuar një pistoletë të llojit Beretta. Pasi janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin, në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një pistoletë e llojit Beretta, një karikator dhe tre fishekë”- thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Derisa, me vendim të prokurorit pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast – armëmbajtje pa leje, ndërsa rasti po vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.