Ilustrim

Rahovec, arrestohet i dyshuari për 25 kallëzime të rreme në Polici

Një djalë i moshës 14-vjeçare është arrestuar sot pasi që prej datës 8 janar 2022 deri më 14 gusht 2022 përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” pranë Stacionit Policor në Rahovec ai ka paraqitur 25 lajmërime të rreme për aktivitete të ndryshme kundërligjore në një kafeteri në fshatin Hoçë e Vogël të Rahovecit.

“Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Rahovec në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, për një kohë ka zhvilluar hetime për zbulimin e kryesit të kësaj vepre duke përdorur teknika të ndryshme të hetimit dhe duke aplikuar masa të fshehta” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas PK-së, i mituri në prani të avokatit mbrojtës dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale është intervistuar dhe në tërësi ka pranuar se ka bërë lajmërime të rreme. Si provë materiale është sekuestruar një telefon mobil i cili është përdorur për paraqitjen e këtyre veprave.

I dyshuari pas intervistimit është liruar ndërsa ndaj tij është iniciuar rast – lajmërim apo kallëzim i rremë.

Tutje Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me të dhe t’i raportojnë shkeljet e ligjit.