Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rahimaj shfuqizon pjesërisht reformën në arsim të Qëndron Kastratit

Kryetari i ri i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj i ka shfuqizuar pjesërisht vendimet e ish-kryetarit të kësaj komune, Qëndron Kastrati, për riorganizimin e arsimit në Kamenicë.

Sipas një njoftimi për media, kjo është bërë me propozim të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe këtë propozim e ka aprovuar Rahimaj.

“Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka aprovuar propozimin e DKA-së, dhe bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (Nr.03/L-040) më saktësisht Nenet 13 dhe 58 si dhe Nenit 78 të Statutit Sh.01.Nr.005/2008 të datës 26.09.2008 dhe vendimit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Statutit Sh.01.Nr.15/2010 të datës 31.05.2010 të Komunës së Kamenicës, Neni 53 paragrafi 1,2 dhe 3 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet më tej në një njoftim për media.

Vendimet të cilat janë marrë janë si në vijim:

*Shfuqizohet Pika 1 paragrafi 1.2 dhe Pika 2 paragrafi 2.2 i Vendimit Sh.02.Nr.26937 i datës 30.08.2019  për vijimin e mësimit në SHFMU ‘’Fan S.Noli’’.

Nxënësit sipas nivelit 0 dhe 1 të ISCED (niveli parashkollor dhe arsimi fillor 1-5) dhe niveli 2 të ISCED ( niveli i mesëm i ulët i shkollimit 6-9), vijojnë mësimin në SHFMU ‘’Hasan Prishtina’’ në Busavatë.

*Shfuqizohet Pika 1 paragrafi 1.1, nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020 për vijimin e mësimit në Institucionin Arsimor “Avni Rrustemi” në Karaçevë të Epërme.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9 rikthehen për vijimin e mësimit në SHFMU ‘’Asllan Thaçi’’ Karaqevë e Poshtme.

*Shfuqizohet Pika 2 paragrafi 2.1 nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020, për vijimin e mësimit në institucionin arsimor “Rexhep Mala” në Topanicë.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9 rikthehen për vijimin e mësimit në SHFMU ‘’Xhelal Sopi’’ në Petrovc.

*Shfuqizohet Pika 3 paragrafi 3.1 nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020, për vijimin e mësimit në institucionin arsimor ‘’Skënderbeu’’ në Hogosht.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9, shfuqizohet vetëm pjesërisht  për paralelen e ndarë në Kopërnicë dhe rikthehen në vijimin e mësimit në institucionin arsimor në fshatin Kopernicë.

*Shfuqizohet Pika 4 paragrafi 4.1 nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020, për vijimin e mësimit në institucionin arsimor ‘’Sadri Misini’’ Shipashnicë e Epërme.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9 shfuqizohet vetëm pjesërisht për paralelen e ndarë në Shipashnicë të Poshtme dhe rikthehen në vijimin e mësimit në institucionin arsimor të fshatin Shipashnicë e Poshtme.

Këto vendime hyjnë në fuqi nga dita e nënshkrimit të Kryetarit të Komunës.

Mbi 400 nxënës nuk kishin vazhduar mësmin në disa shkolla të Kamenicës, pas vendimit për reformën në arsim nga ish-kryetari, Qendron Kastrati.

Kjo kishte filluar edhe me një betejë në Gjykata mes Kastratit dhe prindërve, si pasojë e mospajtimeve për këtë reformë. Komuna e Kamenicës kishte ushtruar padi ndaj 23 prindërve që nuk kishin dërguar fëmijët e tyre në shkollë.

Gjykata Supreme, në korrik të këtij viti kishte konstatuar se 23 prindërit nga Kamenica që nuk e respektuan vendimin e Komunës së Kamenicës për ‘reformën’ në arsim kanë kryer kundërvajtje.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë më datë 11 shkurt 2020 kishte iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj 23 prindërve nga fshatrat e Kamenicës që nuk iu bindën vendimit të ish-kryetarit Qëndron Kastrati për t`i dërguar fëmijët në shkollat e përcaktuara nga komuna.

Gjykata Supreme: Prindërit e Kamenicës do të duhej të gjobiteshin për mos dërgimin e fëmijëve në shkollë

.