Ragmi Mustafa fton shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të bojkotojnë referendumin

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa i ka ftuar shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të bojkotojnë votimet për ‘referendumin’ e datës 16 janar 2022 në Serbi.

“Partia Demokratike Shqiptare në Luginë të Preshevës fton shqiptarët me të drejtë vote që me krenarinë më të lartë të BOJKOTOJNË votimet për referendumin e datës 16 janar 2022 në Serbi”, ka shkruar Mustafa në një postim në faqen e tij zyrtarë në ‘facebook’.

Gjithashtu ai ka thënë se një sjellje e tillë e shtetit serb po i shqetëson shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Si mund të kuptohet apo aq më tepër të pranohet fakti që serbët e Kosovës duhet të votojnë për gjithçka sikur të jenë brenda shtetit serb? Po pse të njëjtën gjë Serbia nuk u ofron shqiptarëve në Luginë të Preshevës?”, ka shkruar Mustafa.

Tutje ai ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit do të shfrytëzonin votën e tyre nëse në këtë referendum do të ishte pyetja për ndryshimin e kushtetutës serbe në të cilën nuk do të figuronte më Kosova në preambulën e saj.