Ragip Begaj, Debat Pernime, Malishevë. Foto: Atdhe Mulla

Ragip Begaj: I infektuari nga Malisheva është nga fshati Panorc

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se në të gjitha fshatrat e komunës ka persona që janë kthyer nga Italia.

Në një bisedë për KALLXO.com ai tha se janë duke hulumtuar çdo person i cili është kthyer nga shteti italian, ndërsa ka konfirmuar se numri i të prekurve me virusin COVID-19 ka shkuar në katër në tre fshatra të ndryshëm të Malishevës.

“Nuk e kemi numrin e saktë ende, po në cdo fshat të Komunës së Malishevës ka të kthyer nga Italia. Ne kemi kontaktuar me kryetarët e fshatrave, numrin e saktë nuk kemi mundur me marr ende mirëpo jemi duke bërë analizat por numrat ende nuk i kemi. Malisheva ka më së shumti njerëz që janë kthyer nga Italia”, ka thënë kryetari i Malishevës.

“Dikund, mbi 123 ose 124 persona që kanë ardhur nga kanale të ndryshme që nuk e dimë as vetë por jemi duke bërë hulumtime”, ka thënë tutje Begaj.

Komuna e Malishevës ka 44 fshatra.

Ai ka thënë se të infektuarit e konfirmuar janë në tre fshatra të ndryshëm në Malishevë.

“Në tri fshatra i kemi të paraqitura rastet me coronavirus, nuk është përhapur më tepër. Pacientët janë në Prishtinë. Në fshatin Drenoc është  një person, dy janë në Bubavec dhe dy janë në Panorc, të gjitha këto raste janë të konfirmuara”, ka thënë Begaj për KALLXO.com.

Edhe 4 të prekur nga Coronavirus arrin në 13 numri i pacientëve