Rafet Jashari emërohet ushtrues i detyrës së kryeshefit të Postës

Rafet Jashari do të jetë ushtrues i detyrës së kryeshefit të Postës së Kosovës pas shkarkimit të Xhevdet Smakiqit.

KALLXO.com mëson se i njëjti do të ushtrojë këtë detyrë deri në konkursin e radhës për të drejtuar ndërmarrjen e Postës së Kosovës.

Pozitën e Jasharit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe kryesuesja e bordit të Postës së Kosovës, Safija Beseni.

“Ushtrues detyre deri sa të përfundon procesi i rekrutimit të Kryeshef Ekzekutiv të ri është emëruar Z.Rafet Jashari, një punëtor i Postës me eksperiencë shumëvjeçare i cili edhe më herët, në kohën kur Posta e Kosovës së bashku me Telekomin e Kosovës kane qenë një organizate në PTK, ka qenë drejtor i njësisë së Postës. Por një gjë duhet ta dini që Ushtruesit e Detyrave pavarësisht çfarë pozite është duhet të jenë nga brenda organizatës”, tha Beseni në një përgjigje për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar për shkarkimin e ish- kryeshefit Xhevdet Smakiqi.

Ai ka deklaruar se zgjedhja e tij në pozitën e kryeshefit ka qenë sipas ligjit, derisa ka shtuar se për këtë vendim të bordit do të ankohet edhe në Gjykatë.

KALLXO.com kishte raportuar se Smakiqi ishte zgjedhur kundërligjshëm në pozitën e kryeshefit të Postës së Kosovës.

Smakiqi ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2019 nga partia e Fatmir Limajt, ndërsa ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që zyrtarët e lartë dhe bordi i ndërmarrjeve publike, nuk duhet të kenë të kaluar politike në 36 muajt e fundit.

Ish-kandidati për deputet zgjedhet kundërligjshëm kryeshef i Postës