Rafet Jashari dorëhiqet nga pozita e Kryeshefit të Postës

Rafet Jashari ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit të Postës së Kosovës që e ushtronte që nga data 3 qershor.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Postës së Kosovës se i njëjti dorëheqjen e ka ofruar sot para Bordit Drejtues të Postës.

KALLXO.com e ka siguruar edhe letrën e dorëheqjes së Jasharit ku thuhet se deri te vendimi kanë ardhur disa arsye personale. KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Jasharin, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike. As kryesuesja e bordit të përkohëshëm të Postës, Safie Beseni nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.

KALLXO.com raportoi ditë më parë në lidhje me disa avancime që kanë ndodhur muajt e fundit në Postën e Kosovës, kontratat e të cilëve i kishte nënshkruar vetë Jashari pas ardhjes në krye në Postës së Kosovës.

Jashari u emërua ud. i Kryeshefit të Postës së Kosovës, pas shkarkimit të Xhevdet Smakiqit, në kohën e të cilët u hapën konkurset për avancime.

Gjithashtu pas raportimit të KALLXO.com në lidhje me këto rekomandime, Bordi Drejtues i Postës së Kosovës ka kërkuar nga Jashari anulimin e avancimeve dhe kthimin në pikën zero të të gjitha konkurse që kanë ndodhur në 8 muajt e fundit, konkretisht nga dhjetori i vitit 2020 deri më tani.

Impakti i hulumtimit të KALLXO.com: 111 punëtorë të Postës preken nga rekomandimi i Bordit për anulim të avancimeve