Radoniqi: Procesi i zgjedhjeve po shkon sipas planit

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi së bashku me dy anëtaret e KQZ-së Sami Kurteshin dhe Arianit Elshanin, kanë vizituar qendrën e votimit në ndërtesën e Komunës në Mitrovicë të Veriut.

Radoniqi kërkoi nga qytetarët e komunave, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan që të dalin të votojnë.

“Pam që procesi është duke shkuar në rregull nuk pam ndonjë problem, dua të ftoj të gjithë qytetarët e komunave që të dalin në zgjedhje në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë, të zgjedhin përfaqësuesit dhe të ndërtojnë institucionet legale demokratike”- tha ai.

“Ne si KQZ në bashkëpunim me policinë i kemi marrë të gjitha masat që ky proces të shkoj në rregull, të ketë qetësi, të hapen vendvotimet me kohë sepse gjithçka ka shkuar në bazë të planit”- shtoi ai.

Radoniqi tha që votimi në kontejner nuk do ti pengoj qytetarët për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

“Mesa e pash siguria është në nivel, nuk besoj që kontenjerët do të jenë pengesë në votim, qytetarët janë të lirë, kanë qasje, dhe është një mundësi që KQZ-ja ua ofron qytetarëve”- theksoi ai.

Sot në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, sot pritet të mbahen zgjedhjet lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate ka njoftuar qytetarët me të drejtë vote në katër komunat për 19 lokacionet e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Lajm në Zhvillim – Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës