Radoniqi: Gjetjet e vëzhguesve në zgjedhje do të merren seriozisht nga KQZ-ja

Kryesuesi dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) më 16.01.2025 kanë pritur në takim eurodeputeten Nathalie Loiseau, njëkohësisht shefe e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian.

Sipas njoftimit, takimi u fokusua në përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 09.02.2025.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka theksuar rëndësinë e vëzhgimit të zgjedhjeve, duke siguruar që gjetjet e vëzhguesve do të merren seriozisht nga KQZ.

Po ashtu, KQZ informoi Loiseau dhe ekipin e BE-së për përgatitjet në zhvillim, përfshirë votimin përmes postës për qytetarët jashtë Kosovës dhe trajnimin e trupave zgjedhorë.

KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Në total, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të garojnë 27 parti politike.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.