Radoniqi flet për sulmin e dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka folur për sulmin ndaj zyrtarëve të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok që kishte ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar në ditën kur ka qenë e paraparë që zyrtarët e përzgjedhur të vendosen nëpër komunat me shumicë serbe në prag të zgjedhjeve që ishin paraparë të mbaheshin në veri.

Radoniqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se detyrë e KQZ-së ishte që zyrat e tyre të ishin në kontroll.

“Detyrë e jona ka qenë që zyrat tona t’i kemi nën kontroll. Pas dorëheqjeve të zyrtarëve tonë komunalë në katër komunat e veriut ne i kemi caktuar ushtruesit e detyrës. Dhe më pas ka qenë e nevojshme t’u qasemi zyrave tona. Ne kemi kërkuar përkrahjen e Policisë”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se sipas informacioneve që ka, zyrtarët nuk janë lënduar fizikisht nga sulmi në drejtim të tyre.

“Ajo çka kemi pa do të thotë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, atëherë jemi tërhequr. Sipas informacioneve që kam nuk ka ndodhur që ata të preken fizikisht. Bashkëpunimi me Policinë ka qenë prej fillimit. Një ditë përpara kemi biseduar me Policinë. Te nesërmen është bërë plani dhe ata kanë shkuar me polici”- ka sqaruar tutje ai.

Radoniqi ka shtuar se në atë kohë, para se të merrej vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri, KQZ ka pranuar një vlerësim nga ana e Policisë lidhur me situatën e sigurisë.

“Ne kemi pranuar një vlerësim të sigurisë nga Policia dhe sipas atij vlerësimi të Policisë ne vetëm e kemi referuar atë te presidentja. Ne i kemi dhënë një njoftim presidentes lidhur me raportin e Policisë dhe ngjarjet që kanë ndodhur në veri”- ka thënë Radoniqi.

Kryesuesi i KQZ-së ka thënë se aktualisht nuk kanë ndonjë vlerësim të dëmit që u është shkaktuar zyrave në veri.

“Vlerësim të dëmit nuk kemi pasur. Sepse nuk kemi pasur qasje në zyrë. Ka dëm, nuk e dimë sa është”- ka thënë ai.

Sulmi ndaj zyrave të KKZ-së në veri kishte ndodhur më 6 dhjetor 2022, në ditën kur ka qenë e paraparë që zyrtarët e përzgjedhur të lartë komunalë së bashku me zyrtarë të KQZ-së, Ministrisë së Pushtetit Lokal të vendosen nëpër komunat me shumicë serbe të cilat janë duke funksionuar pa kryetarë të komunave për shkak se të njëjtit kanë dhënë dorëheqje.

Sipas Policisë, në dëmtimin e zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut janë përdorur edhe granata dore të prodhimit jugosllav.