Radoniqi flet me Osmanin për telashet në platformën e KQZ-së: Po presim Raportin e institucioneve të Sigurisë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka thënë se ky institucion është në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë, lidhur me problemin në platformën elektronike të KQZ-së, e cila është shfaqur që nga dita e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, kur nisi procesimi i rezultateve preliminare.

Këtë deklaratë kreu i KQZ-së e dha në një takim që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 13.02.2025 – njoftoi Zyra e Presidentes.

Presidenca njoftoi se Osmani foli me Radoniqin për mbarëvajtja e procesit zgjedhor. Më tej thuhet se në këtë takim, Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe votës së qytetarëve.

Kurse, kreu i KQZ-së, Radoniqi e njoftoi lidhur me Raportin që po e presin pas telasheve me platformën e tyre.

“Radoniqi sqaroi se KQZ menjëherë ka ftuar institucionet e Sigurisë dhe ato të Drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të Raportit përfundimtar nga institucionet e Sigurisë mbi çështjet e identifikuara, që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme.” – thuhet në njoftim.

Sipas tij, ky Raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara – duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem.

Po ashtu, Osmani është njoftuar nga kreu i KQZ-së se është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve.

Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në Sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

“Që nga dita e Zgjedhjeve, Osmani ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të Sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve, duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në Sistemin elektronik.” – thuhet në njoftim.

Nga data 11.02.2025, nëpër Qendra Komunale të Numërimit, KQZ-ja ka nisur numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, megjithëse është raportuar se edhe në këtë fazë ka telashe teknike në procesimin e të dhënave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.

KQZ njofton se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.