
Kandidati për deputet Radoica Radomiroviq. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Radomiroviq: Serbët në Kosovë duhet të pajtohen që paratë t'i marrin në euro
Kandidati serb për deputet në Kuvendin e Kosovës nga Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” (Narodna Pravda), Radoica Radomiroviq, ka folur në “Debat Përnime” në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarit dhe pranimin e shtesave me këtë valutë. Ai tha se transferimi i parave nga Serbia është bërë përmes kursimores postare, por qeveria serbe nuk ka qenë e interesuar që ajo kursimore të vazhdojë punën e saj.
“Por të kujtoj- tani e kemi bankën NLB që e ka blerë ish Bankën Komerciale në Serbi, ku qytetarët mund të marrin pensionet e tyre që u paguhen serbëve në bankën NLB, por edhe në euro”- tha ai.
Radomiroviq tha se për qytetarët serbë është problem i madh që dikush të vijë nga Shtërpca dhe të marrë pensionin.
Për këtë fajësoi Qeverinë e Serbisë për papërgjegjshmëri. “Ka banka në Kosovë që jam plotësisht i sigurt se mund dhe duan të bashkëpunojnë me bankën në Serbi që ato para të transferohen”, tha Radomiroviq.
Qytetarët serbë, sipas tij, duhet të pajtohen me faktin se ato para do t’i marrin ekskluzivisht në euro.
“Mendoj, pse do të shkonin qytetarët të marrin para në Rashkë ose në Kurshumli, kur mund ta bëjnë këtë në degët e tyre në Shtërpcë dhe në Prishtinë?”- u shpreh ai, duke akuzuar Vuçiqin.
Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e Banka Qendrore e Kosovës, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.
Megjithatë, ai shpreson që në Serbi së shpejti të vendoset një qeveri demokratike, dhe “Drejtësia Popullore” të jetë ura e pajtimit dhe bashkëpunimit midis qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë.
“Debat Përnime” është format i cili është transmetuar për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që kanë prezantuar programet e tyre, janë përballur me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “shenjëstruara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në emisionin e fundit zgjedhor ka ftuar Nismën Qytetare nga komuniteti serb.
“Kemi dashtë me e përmbyllë këtë seri të debateve zgjedhore duke i dhënë hapësirë një pjesë më pak të përfaqësuar të shoqërisë tonë. Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve. Këtu ishim dashtë më u ndje rahat edhe të sigurt edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe turqit, edhe boshnjakët, edhe romët, edhe ashkalinjët, edhe egjiptasit, edhe goranët, edhe terbeshet”- ka thënë ajo.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: