
Kandidati për deputet Radoica Radomiroviq. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Radomiroviq: Policët e Kosovës na ruajnë nga kriminelët në veri
Kandidati serb për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore” (Narodna Pravda), Radoica Radomiroviq, ka vlerësuar punën të cilën po e bëjnë policët në pjesën veriore të vendit.
Nga përvoja personale, ai thotë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë shqetësim nga Policia e Kosovës.
“Pjesa më e madhe e policisë e kryen punën e saj në veriun e Kosovës shumë-shumë profesionalisht. Nga përvoja ime personale mund të them- nuk më shkruante në ballë që isha zëvendësministër, por nuk kam përjetuar asnjë shqetësim nga ata policë”- tha Radomiroviq në “Debat Përnime”, më 07.02.2025.
Me krenari ai thotë se ”ne nga Iniciativa Qytetare e kemi pritur Vitin e Ri së bashku me policët”.
Për këtë kandidat për deputet nuk ka rëndësi që policët që po kujdesen për sigurinë e asaj pjese janë shqiptarë, pasi sipas tij, ata po i ruajnë nga kriminelët në atë pjesë.
“Ata janë policë që kujdesen për sigurinë tonë. Ata na kanë ruajtur dhe na ruajnë nga kriminelët. Duhet t’ia kujtoj publikut, që të kujtojnë vetëm vitin 2022, çfarë problemesh kemi pasur ne serbët që ndajmë të njëjtat mendime dhe që nuk jemi pjesë e Listës Serbe”- tha ai në “Debat Përnime”.
Krejt çka duan qytetarët e komunitetit serb, sipas Radomiroviqit është “të jetojnë me ndershmëri dhe drejtësi dhe të kenë marrëdhënie sa më të mira me të gjitha komunitetet tjera”.
“Debat Përnime” është format i cili është transmetuar për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që kanë prezantuar programet e tyre, janë përballur me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “shenjëstruara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në emisionin e fundit zgjedhor ka ftuar Nismën Qytetare nga komuniteti serb.
“Kemi dashtë me e përmbyllë këtë seri të debateve zgjedhore duke i dhënë hapësirë një pjesë më pak të përfaqësuar të shoqërisë tonë. Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve. Këtu ishim dashtë më u ndje rahat edhe të sigurt edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe turqit, edhe boshnjakët, edhe romët, edhe ashkalinjët, edhe egjiptasit, edhe goranët, edhe terbeshet”- ka thënë ajo.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: