Kandidati për deputet Radoica Radomiroviq. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Radomiroviq akuzon ministrin Rashiq për keqpërdorim të buxhetit të Kosovës për komunitetet

Radoica Radomiroviq i cili tani po udhëheqë me Iniciativën Qytetare “Drejtësia Popullore” (Nardona Pravda), për një kohë ka qenë zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti. Tani, si kandidat për deputet ai ka dhënë disa nga arsyet e largimit të tij nga kjo pozitë qeveritare.

Siç pretendon ai, arsye ishte keqpërdorimi që po bëhej me buxhetin e Kosovës i dedikuar për pjesën veriore të vendit. “Ka pasur më shumë para, por unë me përgjegjësi e them që ato para përfunduan te disa anëtarë të dalluar të Listës Serbe. Por këtë duhet ta hetojnë hetuesit dhe prokuroria”- tha ai.

Lidhur më këtë, Radomiroviq, shprehu pakënaqësi se si ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, është sjell me komunitetin serb dhe komunitetet e tjera.

Madje ai thotë se “se Qeveria ka dashur dhe ka bërë përpjekje maksimale për të ndihmuar vërtetë veriun e Kosovës”, dhe se për këtë qytetarët serbë nuk janë në dijeni.

Tutje, ai pretendon se ka dokumente të cilat dëshmojnë se parat e destinuara për qytetarët serbë nga Qeveria e Kosovës, nuk shkuan te ta dhe se të njëjtat pretendon se kontrollohen nga ministri Rashiq.

“Kam para vetes shumë dokumente që tregojnë se paratë nuk ndahen për qytetarët në veri të Kosovës. Pra, paratë e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim kontrollohen nga Rashiqi. Ai vendos se ku do të shkojnë ato para dhe grantet, por unë po them që kanë përfunduar këtu në nivelin qendror të Kosovës”- tha ai.

Ndër të tjera, ai tha se deri para ardhjes së kryeministrit Kurti në Qeveri, në pjesën veriore nuk ka pas një kontroll dhe se “askush nuk e dinte se si shpenzoheshin ato para”.

Gjithashtu, ai shpalosi një faturë duke pretenduar së është për ndërtimin e një fushe sportive në Komunën e Leposaviqit, mirëpo sipas tij, ajo fushë nuk ekziston fare.

“Këto janë, për shembull, para që janë shpenzuar për një fushë lojërash që nuk ekziston në komunën e Leposaviqit. Atëherë kryetar ishte Zoran Todiq. Shuma është 33.000 euro”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili është transmetuar për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që kanë prezantuar programet e tyre, janë përballur me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “shenjëstruara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në emisionin e fundit zgjedhor ka ftuar Nismën Qytetare nga komuniteti serb.

“Kemi dashtë me e përmbyllë këtë seri të debateve zgjedhore duke i dhënë hapësirë një pjesë më pak të përfaqësuar të shoqërisë tonë. Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve. Këtu ishim dashtë më u ndje rahat edhe të sigurt edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe turqit, edhe boshnjakët, edhe romët, edhe ashkalinjët, edhe egjiptasit, edhe goranët, edhe terbeshet”- ka thënë ajo.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Për mirëqenien e serbëve dhe kundër Asociacionit: Zotimet e Iniciativës Qytetare “Drejtësia Popullore”