Radojiçiq ishte futur në "Stop listë" nga prokurori i Ferizajt, Rasim Maloku

Millan Radojiçiq u ka ikur policëve të Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut në kohën kur ai kishte tentuar të futej në Kosovë.

Pasi i kishte dorëzuar dokumentet te zyrtarët e Policisë Kufitare, Radojiçiq ishte urdhëruar të parkonte veturën pasi ishte kuptuar se ai gjendej në “Stop listë”.

Burime të KALLXO.com thonë se Radojiçiq në këtë moment ishte arratisur drejt territorit të Serbisë, duke i lënë dokumentet te zyrtarët kufitarë të Kosovës.

KALLXO.com merr vesh se Millan Radojiçiq ishte futur në “Stop listë“ nga Prokuroria e Ferizajt, me autorizim të prokurorit Rasim Maloku në lidhje me rastin “Brezovica”.

Pra, rasti nuk ka të bëjë me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Prokurori Maloku ka thënë për KALLXO.com se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të merret me rrethanat e ikjes së Radojiçiqit dhe për mosfunksionimin e kamerave në pikën kufitare.

Pak orë më herët, KALLXO.com raportoi se Millan Radojiçiqit i kanë mbetur dokumentet në pikën kufitare pasi ai është arratisur në sytë e tre ose katër policëve të Kosovës.

Siç mëson KALLXO.com, ai kishte komunikuar me eprorët e pikës dhe pasi i kishin thënë të parkohej, Radojiçiq ishte kthyer në Serbi.

Millan Radojiçiq ka arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.