Armët e grupit terrorist serb që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit Foto: KALLXO.com

Radoiçiq: Për veprimin nuk e kam njoftuar askënd

Përmes një letre të cilën e lexoi avokati Goran Petronijeviq nga Qendra Mediale në Beograd, Millan Radoiçiq e pranoi se ishte i pranishëm në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Po ashtu, ai përmendi edhe faktin se ishte marrë vet me të gjitha çështjet si logjistike dhe me planin e funksionimit.

Për këtë ai tha se nuk kishte njoftuar as pjesëtarë të Qeverisë në Serbi e as ato lokale në veri.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike”- thuhet në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij.

Ndërsa se nga i mori armët, nuk dha përgjigje avokati i Radoiçiq.

“Nuk mund të flas për atë se çfarë do të thotë ai. Nëse ndodhin diskutime të tilla me organet e Serbisë, personalisht si i autorizuar i tij dhe avokat konsideroj se ai nuk do ishte e nevojshme që t’i parashtronte pyetje”- tha avokati i Radoiçiq. 

Avokati insistoi se përderisa nuk ishte aty nuk ka edhe çka të thotë për armatimin që u sekuestrua në veri e që ishin me dhjetëra pajisje luftarake që ishin dërguar në Banjskë. 

“Te pjesa se sa shumë mund të kishte armatim, nuk e di nuk jam ekspert, jam vetëm avokat dhe i autorizuar i tij, nuk jam i autorizuar që të flas për këtë sepse me siguru janë gjëra që ai ka për të folur, nëse ndodh ndonjë ftesë për bisedë informative”- shtoi avokati. 

Tutje avokati tha edhe se vrasja e policit Afrim Bunjaku ndodhi gabimisht dhe nga një shpërthim. 

“Më lejoni të ju them se unë nuk isha aty, ato hollësi unë nuk mund tua jap, por ajo që mund të them është që sipas informatave paraprake është që polici i Kosovës ka ndodhur nga shpërthimi jo nga plumbi, shpërthim që nuk ishte as për atë as për dikënd tjetër”- shton avokati. 

Në lidhje me letrën e lexuar nga avokati i Radoiçiq, është konfirmuar pjesëmarrja e Radoiçiq në sulmin terrorist të 24 shtatorit. Ai po ashtu ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Kush është avokati i Radoiçiq?

Goran Petronijeviq, avokati i Millan Radoiçiq, pas diplomimit në vitin 1983, u punësua në Gjykatën e Parë Komunale të atëhershme në Beograd si praktikant, më pas si bashkëpunëtor profesional dhe nga viti 1989 si gjyqtar.

Në vitin 1996 u zgjodh gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Beograd dhe në vitin 1997 u bë zëvendëskryetar i Gjykatës së Qarkut në Beograd.

Nga viti 1998 deri në qershor 1999 ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe gjykatës hetues special i Ministrisë së Drejtësisë së RFJ-së për hetimin e krimeve të luftës në territorin e Kosovës.

Ai është avokat që nga qershori i vitit 2001.

Si avokat ka mbrojtur rastet më të njohura në fushën e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare. Klientët e tij më të famshëm janë Rade Markoviq, ish-shefi i Sigurimit të Shtetit të RFJ-së (njeriu i shërbimit ushtarak në shërbimin civil serb), Aco Tomiq, ish-shefi i Sigurisë Ushtarake të RFJ-së, Veselin Šljivančanin – para Tribunalit të Hagës, Radovan Karaxhiq, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, i cili u dënua për gjenocid në Tribunalin e Hagës.

Ai është themelues i Lëvizjes për Serbinë, shtëpisë mediatike “Russian Express” dhe organizatës joqeveritare “Qendra për rivendosjen e së drejtës ndërkombëtare”. Subjekt politik serb, i financuar nga Rusia.