Rada Trajkovic, kreu i Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova, jep një intervistë në shtëpinë e saj në Beograd. Foto: Stefan Milivojevic

Rada Trajkoviq: Lista Serbe nuk ka kredibilitet me Milan Radoiçiqin

Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, vlerësoi sot se Lista Serbe është plotësisht në kundërshti me ligjin dhe se nuk ka kurrfarë kredibiliteti përderisa i kërkuari nga drejtësia në Kosovë, Milan Radoiçiq mban pozitën e nënkryetarit të saj, raporton gazeta serbe ‘Danas’.

Radoiçiq është duke u kërkuar nga drejtësia e Kosovës për shkak të dyshimeve në rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq në janar të vitit të kaluar.

Raportimet thonë se Radoiçiq, një figurë e fuqishme politike dhe e biznesit në veri të Kosovës, është duke qëndruar në Serbi.

“Lista Serbe nuk ka kurrfarë kredibiliteti moral”, tha Trajkoviq për FoNet.

Gjatë ditës së djeshme, Trajkoviq kishte reaguar ndaj një artikulli të një mediumi serb në të cilin ajo dhe disa kolegë të saj politikanë përshkruhen si bashkëpunëtorë të Ramush Haradinajt e Hashim Thaçit.

Trajkoviq e ka quajtur klëtë artikull si reagim të “bandës kriminale të Vuçiqit” ndërsa ka përmendur presionet që po u bëhen serbëve të Kosovës që janë opozitë e Listës Serbe të mbështetur nga qeveria në Beograd.

Artikulli u botua ditën kur u raportua se një grup i liderëve serbë të Kosovës do të lidhin një koalicion për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

“Ja si reagon banda kriminale në krye me Aleksandar Vuçiqin dhe Zyrën për Kosovën në qeverinë e Serbisë edhe ndaj mundësisë më të vogël për të siguruar garë në procesin zgjedhor në Kosovë. Dy kandidatë të pavarur në zgjedhjet e kaluara janë vrarë. Dhe kjo është paralajmërim i qartë për likuidime tjera. Deri kur kështu?”, ka shkruar Trajkoviq në një postim në Twitter të cilit ia ka bashkëngjitur një artikull të një medie nga Serbia, duke aluduar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit në janar të vitit të kaluar në Mitrovicën e Veriut.

Në artikull thuhet se në bazë të informacioneve të portalit serb Pink, formimi i këtij koalicioni është i mbështetur nga Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi të cilët “janë të gatshëm edhe ta mbështesin financiarisht”.

“Paratë të cilat janë të gatshme për këtë koalicion, siç po spekulohet, vijnë nga njerëzit që janë të përfshirë në tregti me organe në Kosovë”, thuhet në artikull.

“Qëllimi i këtij koalicioni që të bashkohet me terroristët shqiptarë është i qartë dhe kjo është thyerje e unitetit të serbëve dhe dorëzim i Kosovës në duar të terroristëve”, thotë artikulli