Wuhan, Kinë- Foto: CNN

Qyteti Vuhan ku buroi coronavirusi rihapet pjesërisht pas izolimit

Qyteti në Kinë ku filloi pandemia coronavirus, Vuhan, është rihapur pjesërisht pas më shumë se dy muaj izolimi, raporton BBC.

Turmat me pasagjerë u fotografuan kur mbërritën në stacionin e trenit Vuhan të shtunën.

Njerëzit po lejohen të hyjnë, por jo të largohen, sipas raportimeve.

Vuhan, kryeqyteti i provincës Hubei, pati më shumë se 50,000 raste me coronavirus. Të paktën 3,000 njerëz në Hubei vdiqën nga sëmundja.

Por shifrat kanë rënë në mënyrë dramatike, sipas të dhënave të Kinës. Shteti të shtunën raportoi për 54 raste të reja që dolën një ditë më parë – për të cilat u tha se të gjitha ishin të importuara.

Përderisa lufton për të kontrolluar rastet që vijnë nga jashtë, Kina ka njoftuar një ndalim të përkohshëm për të gjithë vizitorët e huaj, edhe nëse ata kanë viza ose leje qëndrimi.