Qytetarja nga Gjilani: Kishim anëtar të familjes me COVID-19, asnjëherë nuk na kontaktoi komuna

Një qytetare nga Gjilani, F. H, është revoltuar ndaj institucioneve të vendit, pasi sipas saj janë neglizhuar nga ana e tyre.

Ajo ka treguar se kanë pasur një anëtar të familjes me COVID-19 që është shëruar dje, por se gjatë kësaj kohe, asnjëherë nuk janë vizituar e monitoruar nga ana e Komunës së Gjilanit.

Sipas saj, përkundër deklaratave të Komunës së Gjilanit se janë nën trajtim e monitorim, familjen e saj asnjëherë nuk e ka vizituar e as kontaktuar askush.

“Ne kishim një anëtar të familjes me Covid-19, që dje është shëruar plotësisht (siç po raportoni edhe ju). Por, përkundër deklaratave të përditshme se jemi nën trajtim e monitorim, familjen tone ASNJËHERË NUK E VIZITOI ASKUSH, e as nuk jemi kontaktuar përmes telefonit për të pyetur rreth shëndetin tone”, ka thënë ajo.

“Pra, përveç përfshirjes në STATISTIKA, ne nuk morëm: – asnjë KËSHILLË – asnjë UDHËZIM – asnjë REKOMANDIM, në aspektin MJEKËSOR, HIGJIENIK, si dhe për zbatimin e masës së VETËIZOLIMIT (përbrenda shtëpisë) dhe KARANTINIMIT”, ka shtuar ajo më tej.

Ajo ka shkruar se kanë qenë më fat që ishin furnizuar me kohë më produkte ushqimore.

“Ne ishim furnizuar mjaftueshëm me produkte afatgjate ushqimore, higjienike dhe farmaceutike, ndërsa gjatë karantinimit familjarët tanë na furnizuan me ushqime ditore (bukë, pemë e perime, Vitaminë C etj.). Pra ishim me fat që gjatë kësaj periudhe të vështirë nuk na mungoi ASGJË”, ka shtuar ajo më tej.

F. H. thotë se, ishte mjaftë e vështirë të lexoheshin çdo ditë deklarata e postime në Facebook, që sipas saj, për gjëja trajtim e monitorim, “e realisht nuk janë vizituar e monitoruar asnjëherë”.

“Megjithatë jemi mirënjohës që 2 ditë pas rastit pozitiv, u testuam anëtarët e tjerë të familjes dhe për fat që të gjithë dolëm negativ”, ka thënë në fund ajo.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Komunës së Gjilanit për të marrë sqarime dhe është duke pritur përgjigje.

Në Gjilan janë shënuar gjithsej 48 persona me COVID-19 dhe 1 viktimë.

Kurse, në nivel vendi janë shënuar gjithsej 862 raste, 622 të shëruar dhe 28 viktima.