Qytetari u nis ta çonte në FSK me veturë predhën e gjetur në pronën e tij

Hyrja e kazermës së FSK-së “Adem Jashari” ishte bllokuar sot për pak orë për shkak të një mjeti të dyshuar shpërthyes.

Policia e kishte mbyllur zonën, duke mos lejuar automjetet të qarkullonin në këtë pjesë.

Afër hyrjes së kazermës qëndronte një veturë ngjyrë të bardhë.

Sipas zëdhënësit të FSK-së, Ibrahim Shala, me këtë veturë një qytetar kishte sjellë një mjet shpërthyes, të cilin, sipas tij, e kishte gjetur në pronën e tij.

“Një qytetar duke mos i ditur rregullat, pra për të njoftuar Policinë dhe FSK-në, kur kishte e gjetur mjetin shpërthyes në pronën e tij, të njëjtin e ka sjellë në FSK për ta çmontuar. Menjëherë është lokalizimi i vendit”, tha Shala për KALLXO.com.

Më pas, sipas zëdhënësit, mjetin e dyshuar e ka konfiskuar Policia.

“Mjetin e ka marrë Policia dhe është në posedim të tyre”, tha ai.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, tha për T7 se bëhet fjalë për një predhë mortaje e kohës së luftës së fundit në Kosovë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë.

“Mjeti i tillë merret nga njësiti për çminim dhe bëhet çaktivizimi apo shpërthimi në mënyrë të kontrolluar”, thanë nga Zyra për Informim e Policisë.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi për këtë ngjarje që ka ndodhur në afërsi të kazermës së FSK-së “Adem Jashari”.

Dyshohet për një mjet shpërthyes në afërsi të kazermës ‘Adem Jashari’ – FOTO