Qytetari serb nga Shtërpca: Shqiptarë e serbë jemi bërë bashkë për mbrojtjen e lumenjve

Nebojsha Rexhiq, një qytetar i nacionalitetit serb në Shtërpcë, ka thënë se janë bërë bashkë me shqiptarë për të mbrojtuj lumenjtë e Shtërpcës.

Duke folur në Samitin e parë për lumenjtë e e Kosovës, Rexhiq tha se në Shtërpcë operojnë tri mini-hidrocentrale.

“A kemi ndërprerje të furnizimit me rrymë? Po. A e kemi rrymën më të lirë? Jo. Çfarë dobie kemi ne që i kemi këto mini-hidrocentrale? Askush nuk na ka shpjeguar se çfarë kemi përfituar. Çfarë ka përfituar komuna? Sa është renta e koncesioneve të dhëna? Në çka janë investuar paratë e fituara, dhe sa?” – ka thënë Rexhiq.

“Në gjuhën angleze ekziston një thënie “Money talks, shit walks” (kur paraja flet gjërat e këqija harrohen). Kjo mund të ketë zbatim në këtë rast. Shtërpca dhe fshatrat përreth nuk kanë ujë të pijes. Në prag të dimrit njerëzit nuk mund t’i marrin lejet për t’i prerë drutë në pyllin e tyre. Ka ndërtime ilegale të pakontrolluara e qytetarët nuk kanë ide se çka po planifikohet dhe çka i pret. Parku Nacional është bërë një park “bëj si di vetë” mos e pyet askënd vetëm ndërto se asgjë nuk mund të na bëjnë” – tha qytetari.

Tutje, Rexhiq ka thënë se nëse vazhdohet me shkatërrimin e lumenjve në Kosovë, ndërtimin e parregullt e zgjerimin e pakontrolluar, do të mbeten vetëm kujtimet dhe fotografitë nga e kaluara.

“Të jemi të përgatitur, po si?… të jemi të bashkuar dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, t’i zbatojmë përvojat që janë treguar të frytshme, të ngrejmë zërin, të shfrytëzojmë mjetet moderne të presionit ndaj pushtetit, t’i tregojmë fajtorët, t’i theksojmë shembujt pozitivë. Thuhet se nëse nuk keni fqinj, drejtojuni natyrës sepse ajo është fqinji më i rëndësishëm. Në këtë rast ne kemi pasur fqinj të vërtetë. Neve nuk na ka bashkuar ideja e madhe për profit e as për politikë apo për politikanët, neve na ka bashkuar e drejta e përbashkët për ujë dhe e drejta e përbashkët për pasurinë e përbashkët. Serbët dhe shqiptarët janë përpjekur që t’i mbrojnë të mirat dhe të drejtën për ujë” – ka thënë Rexhiq.

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë është mbajtur Samiti i parë për lumenjtë e Kosovës, me temën “Lumenjtë dhe mbrojtja e tyre”.