Peja. Foto: Kallxo.com

Qytetari pretendon se u dënua nga inspektorët deri sa ishte duke blerë barna për prindin e tij

Një qytetar nga Komuna e Pejës po pretendon se deri sa ishte duke shkuar për të blerë barna për prindin e tij të sëmurë, është dënuar nga inspektorët, për shkelje të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me kufizimin e qarkullimit.

Sipas Yll Dançës nga Peja, ai dje rreth orës 15:00, derisa ishte  duke shkuar në barnatore për të blerë insulinë për prindin e tij, policia e ka ndaluar për kontroll.

Dança pretendon se edhe pse ia ka prezantuar policisë dhe inspektorëve vërtetimin e lëshuar nga mjeku dhe se babai i tij tashmë ishte i shtrirë në spital dhe kishte nevojë për insulinën,  inspektorët nuk e kanë marrë parasysh dhe e kanë dënuar.

“Ditën e premte rreth orës 15:00 kam qenë duke shku me makinë në  një barnatore afër Stacionit të Autobusëve për me ble insulinë për babën, policia më ka ndalu dhe unë iu kam tregu arysen se pse kam dalë jashtë orarit të qarkullimit. Po ashtu edhe policisë edhe inspektorëve iu kam prezantuar vërtetimin e mjekut, ndërsa ata nuk e kanë marrë fare parasysh”, ka thënë Brança për KALLXO.com.

Ai thotë se sjellja e tyre ishte jotolerante dhe e pazakontë, duke i thënë ‘shko tash te Albin Kurti’.

KALLXO.com në lidhje me këtë pretendim të Dançës ka dërguar pyetje në Komunën e Pejës, për të kuptuar se pse ka ndodhur një gjë e tillë, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Komuna e Pejës nuk ka kthyer përgjigje.