Qytetari pretendon se u dënua 300 euro për 'fjalë goje' në Graçanicë - VIDEO

Remzi Shala nga Komuna e Drenasit është dënuar me 300 euro gjobë nga policia në Komunën e Graçanicës.

Ai ka thënë se këtë dënim e ka marrë vetëm për faktin se e ka ngritur zërin në njërin nga lokalet e kësaj komune ku kishte shkuar për të ngrënë bukë.

“Më datën 11 isha në Graçanicë në një terasë, pastiqeri, isha me një shok timin dhe shkuam me hanger bukë. Kamarieri i cili na shërbej na tha a doni me hanger mish të thiut, unë i thash jo me za t`nalt, e u çua një policie se na e prishëm rendin dhe qetësinë, dhe për shkak të saj më dënuan 300 euro”, tha Shala.

Shala tha se para dënimit është dërguar në stacionin policor në Graçanicë ku është mbajtur për 40 minuta.

“Për çka jeni ardh në Graçanicë,  na jemi ardh me hanger bukë, na erdhëm në Graçanicë se është vendi jonë dhe me ato fjalë më ka shti në stacion në një dhomë për 40 minuta”, deklaroi Shala.

Ai shtoj se këtë dënim nuk ka mundësi ta paguaj dhe se do të ankohet ndaj zyrtares policore.

“Unë këtë dënim që ma ka cek ajo nuk kam mundësi me e pagu, kam m`u anku ndaj saj edhe dua me e këqyrë se si janë ligjet në Kosovë”, përfundoj Shala.

Në dënimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se Remzi Shala gjatë kohës sa po qëndronte në një pastiqeri në Graçanicë e kishte ngritur zërin, i kishte provokuar mysafirët në tryezën tjetër dhe nuk i kishte respektuar urdhrat verbal të zyrtares policore.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në Policinë e Kosovës se cilat urdhra verbal nuk janë respektuar, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.