Qytetari pretendon se s`ishte asnjë mjek në Emergjencën e Shtimes, u kthye pa marrë shërbim - VIDEO

A. H. nga komuna e Shtimes është ankuar se dy ditë më parë nuk kishte marrë shërbim nga asnjë mjek në Emergjencën e kësaj komune.

Ai thotë se bashkë me fëmijën e tij, i cili kishte probleme me ftohje në fyt, rreth orës 19:00 kishin pritur rreth 15 minuta në koridorin e kësaj qendre dhe ishin kthyer pa marrë asnjë shërbim, për shkak se, siç thotë ai, nuk ka qenë asnjë mjek në këtë qendër.

“Fëmijën e pata me shumë kollë. U dashtë të blejë ilaçe pa recetë të mjekut”, shprehet ai.

Në adresën e KALLXO.com ai ka dërguar një video në të cilën shihet se janë edhe disa qytetarë të tjerë duke pritur në koridor, përderisa nuk shihet asnjë nga stafi shëndetësor në këtë qendër.

 

Në lidhje me këtë raportim, KALLXO.com ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Ilaz Kadriu. Ai thotë se gjatë asaj kohe mjekët kanë qenë duke u përgatitur për orarin e kujdestarisë.

“Në këtë kohë bëhet ndërrimi i mjekëve. Doktori ka qenë duke u përgatitur për ndërrimin e natës që pikërisht në ora 19 e merr ndërrimin deri në mëngjes”, sqaroi ai për KALLXO.com.

Ai thotë se gjatë kujdestarisë në shërbim të qytetarëve është një ndihmësmjek dhe një mjek, përderisa potencon se do të ishte e mjaftueshme që të ishin gjatë kujdestarisë katër mjekë me na leju ministria i kisha bo katër kujdestarë, por nuk na lejohet”.

Gjatë ditës ai thotë se trajtohen rreth 250 pacientë.

KALLXO.com dje ka raportuar edhe për një incident në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas. Mjeku nuk ia kishte pastruar plagën, pasi që një shërbim i tillë nuk jepej gjatë vikendit, pacienti i frustruar për këtë ia ka demoluar dhomën e reanimimit.