Qytetari pretendon se banesën e blerë në 2010 në Prishtinë nuk e mori asnjëherë

Qytetari Arsim Hadri nga Gjakova, po pretendon se në vitin 2010 e ka blerë një banesë në Prishtinë, por edhe pas 12 viteve, ai nuk po arrinë të marrë këtë banesë.

Hadri thotë se banesën e ka blerë nga një qytetar tjetër me emrin Nush Smajli. Shuma që ai pretendon se ka paguar është 96 mijë euro, ndërsa banesa është rreth 119 metra katror.

“Banesën e kam blerë në vitin 2010, prej Nush Smajlit. Ka qenë në ndërtim, në vitin 2011 kanë pasur me m’i dorëzu çelësat, por nuk më janë dorëzuar çelësat. Arsyeja e tyre ka qenë se hala nuk janë kry punimet” – ka thënë Hadri për KALLXO.com.

Për blerjen e kësaj banese, Nush Smajli dhe Arsim Hadri kanë nënshkruar një kontratë ‘Mbi shitblerjen e banesës’, tek një avokat.

Kontrata mban datën 17 nëntor 2010, ndërsa në të thuhet se Hadri do marrë në posedim dhe pronësi banesën me 31 janar të vitit 2011.

“Edhe disa herë kam pasur kontakte me Nush Smajlin, më ka thënë që investitori nuk i ka kry punimet hala. Pas një kohe kam insistuar disa herë që të shkojë të shoh banesën që e kam ble, nuk mu ka jap mundësia” – pretendon tutje Hadri.

Gjithashtu, Hadri ka thënë se arseyja që Smajli nuk e ka marrë banesën prej investitorit, është se ‘kanë borxhe ndaj njëri-tjetrit’.

Por, pasi që kishte lajmëruar rastin në Polici, tek në vitin 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë për mashtrim ndaj Nush Smajlit dhe babait të tij, Qazim Smajlit, si dhe investitorit të ndërtesës ku gjendet banesa, Burim Marmullakut.

Prokuroria pretendonte se këta të tre në bashkëkryerje me anë të parqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, sjellin në lajthitje dhe mashtrojnë Arsim Hadrin.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Hadri ka lidhur kontratën me Nush Smajlin si shitës, ku ky i fundit i ka premtuar se Hadri do ta ketë në posedim me 31 janar 2011.

“Mirëpo, të njejtën i dëmtuari nuk e posedon asnjëherë. Ndërsa më datën 06.06.2012 të pandehurit Burim Marmullaku dhe Nush Smajli lidhin ‘aneks kontratë’, për ndërrimin e banesës së paguar me M.T., si blerëse e banesës, e cila nënshkruhet nga i pandehuri Burim si shitës dhe nga M.T. dhe i pandehuri Qazim si blerës, të së njejtës banesë që më parë ia kishin shitur Arsim Hadrit” – pretendon Prokuroria.

Pra, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se investitori Burim Marmullaku dhe babai i Nush Smajlit, Qazimi, e kanë shitur banesën te një person tjetër, banesën të cilën pretendon se e ka blerë Arsim Hadri.

Por, me 23 shtator të vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë, me arsyetimin se është parashkruar vepra penale.

“Gjykata, duke pasur parasysh parashtresën e Prokurorit të Shtetit të datës 19.09.2022, në të cilën konstatohet se koha e kryerjes së veprës penale konsiderohet data 06.06.2012, andaj duke pasur parasysh kohën e kryerjes së veprës penale, datë 06.06.2012, si dhe kohën e vendosjes së kësaj çështje penale kanë kaluar më shumë se 10 vjet, andaj gjykata konstaton se sipas Kodit penal, në këtë çështje penale juridike është arritur afat i parashkrimit absolut të ndjekjes penale” – thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Gjykata ka udhëzuar palët që të shkojnë në kontest civil, lidhur me banesën.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga KALLXO.com, Alban Arifi, avokati i Nush Smajlit në këtë çështje, ka thënë se Hadri për pretendimet i është drejtuar prokurorisë dhe se Gjykata e ka marrë vendimin.

“Ju njoftoj se z.Hadri për pretendimet e tij iu është drejtuar Prokurorisë, dhe çështja e paraqitur nga z.Hadri është vendosur me dt.23.09.2022 me Aktgjykimin me shenjë P.nr.1198/18 i nxjerr nga Gjykata Themelore në Prishtinë me të cilin është refuzuar Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në kuptim te nenit 363 par.1 nenpar 1.3 te KPPK” – ka thënë Arifi për KALLXO.com.

Ndërsa i akuzuari tjetër në këtë çështje, Qazim Smajli, përmes telefonit nuk ka pranuar të deklarohet, duke thënë se për këtë çështje merret gjykata.

As investitori i ndërtesës ku gjendet banesa, Burim Marmullaku, nuk pranuar të deklarohet rreth rastit, duke thënë se nuk ka të bëjë fare me çështjen, pasi sipas tij ‘problemi është në mes Smajlit dhe Hadrit’. Ai ka refuzuar që të përgjigjet rreth pretendimeve të Hadrit, duke thënë se me këtë punë merret gjykata.