Foto-ilustrim

Qytetari plaçkitet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, thotë se Policia nuk i doli në ndihmë

Qytetari nga Prishtina, Hazir Gashi, për KALLXO.com ka rrëfyer një ngjarje që i ka ndodhur atij në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Teksa ishte kthyer nga pushimi të dielën me 2 gusht, në Stacionin e Autobusëve i është vjedhur kuleta, nga dikush që nuk kishte arritur që ta verifikonte.

Sipas tij, ishte mesnatë dhe nuk kishte asnjë polic në Stacion.

Ai thotë se ka shkuar në stacionin policor ‘Qendër’ në Prishtinë, por që aty nuk e kanë pranuar.

“Duhet të shkoj në stacionin e dytë të Dardanisë, më thanë. Unë nuk kisha as kuletë as të holla për tu endë rrugëve në mesnatë me taxi, por fati im që më afroi një polic i njohur me makinë te stacioni policor afër Hotel Viktoria”, thotë Gashi.

Tutje, ai rrëfen se polici në fjalë ishte i nacionalitetit serb, të cilit ia ka treguar rastin dhe i njëjti polic ka shkuar të gjejë një polic kujdestar për paraqitjen e rastit.

Por, sipas Gashit, asnjë polic nuk është paraqitur.

“Më mori shënimet polici serb dhe më tha se do të më lajmërohet ndonjë polic për të më marrë në pyetje më gjerësisht. Deri tash askush nuk më ka thirre”, thotë ai.

Sipas Gashit, nga taksisti e ka kuptuar se hajnat në Stacionin e Autobusëve janë të shpeshtë.

Ndërsa ai shpreh shqetësimin se si është e mundur që në mesnatë asnjë polic nuk ka qenë i pranishëm në Stacion të Autobusëve, nuk kishte kamera të sigurisë dhe neglizhencën e policisë, në lidhje me rastin.

“Jam shumë i zemëruar që policia jonë nuk reagon fare. Në apo pa pandemi, policia duhet të na mbroj”, ka thënë Gashi.