Qytetari nga Klina: Nga fabrika e çimentos mund të ketë pak zhvillim e shumë shpenzime për shërim

Afër 5 mijë qytetarë të Klinës e kanë nënshkruar një peticion në vitin 2020, ku e kanë kundërshtuar ndërtimin e një fabrike të çimentos në Dollc.

Që nga ajo kohë kanë kaluar dy vite ndërsa kompania që ka planifikuar ndërtimet është pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme.

Në janar të këtij viti, Komuna e Klinës e ka lëshuar edhe lejen për ndërtimin e fabrikës.

Kuvendi Komunal i Klinës në mars të vitit 2020 nxori një vendim që shfuqizonte pëlqimet “që janë dhënë lidhur me guroret për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos”.

Më 27 korrik të vitit 2020, MAPL shpalli të paligjshëm një vendim të Kuvendit Komunal. Këtë vlerësim e kishte bërë Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në vendim ishte përmendur edhe rasti i Telekomit të Kosovës që ishte dërguar në Arbitrazh.

Drejtori për Mbrojtje të Mjedisit në Klinë, Enver Berisha, thotë se ishin të obliguar ta merrnin vendimin për lejen ndërtimore.

Sipas tij, në të kundërtën do të ta shkelnin ligjin.

“Çdo vendim që nuk e merr ligjshmërinë nga niveli qendror, ne nuk jemi obligues që ta zbatojmë, nëse e zbatoj i thej rregullat ligjore. Unë jam për zhvillim, por duke u kujdesur për mjedisin. Deri më tani janë lëshuar të gjitha lejet nga ministritë. Unë kam vepruar sipas akteve ligjore”, ka thënë Berisha në emisionin “Kallxo Përnime”.

Por, vendimin e Drejtorisë së Mjedisit po e kundërshtojnë fort disa qytetarë nga Klina.

Veton Raci, nga grupi i qytetarëve që e kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës, thotë se vendimi i Komunës ishte i ngutshëm, derisa lënda është ende në gjykatë.

“Derisa rasti është në gjykatë, unë nuk kisha guxuar ta marrë një vendim të tillë, të paktën për hir të peticionit që e kanë nënshkruar mbi 4 mijë qytetarë të Klinës”, thotë ai.

Valon Raci – Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Sipas qytetarit nga Klina, nëse ndërtohet fabrika, do të sjellë shumë dëme për banorët.

“Para se me qenë zonë minerare, ajo tokë ka qenë tokë bujqësore, atje ka qenë një plantacion i vishnjës. Dëmet janë të mëdha, në ujë, në faunë, të gjitha zhduken nëse ndërtohet fabrika e çimentos”, deklaron ai.

Sipas tij, më shumë do të kushtojnë shpenzimet për shërimin nga ndotja sesa zhvillimi.

“Ne besojmë që me ndërtimin e kësaj fabrike mund të ketë pak zhvillim por mund të ketë më shumë shpenzime për shërim sesa zhvillim”, vlerëson Raci.

KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë “Wallingford International – Kosovo” për të marrë një qëndrim rreth deklarimeve kundër të qytetarëve që në zonën e Dollcit të ndërtohet çimentorja. Por, Faton Ismajli, përfaqësues i kësaj kompanie ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në emision.

“Sa i përket dokumentacionit për fabrikën e cementit janë respektuar të gjitha ligjet në fuqi. Kurse për procedurat dhe gjërat tjera ju lutem mund t’i drejtoheni organeve kompetente. Sa i përket pjesëmarrjes në emision me gjithë dëshirë do kisha qenë prezent por për arsye të kohës së limituar që e kam në dispozicion nuk mundem të marrë pjesë”, ka thënë Ismajli.

Në emision për të diskutuar rreth kësaj teme janë ftuar edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, por të njëjtit kanë sugjeruar që t’i drejtohemi Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Kompania “Wallingford International – Kosovo” u licencua nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në gusht të vitit 2020. Sipas të dhënave, kompania u licencua në tri zona të Klinës dhe licenca do t’i vlejë deri në vitin 2045.

Me këtë çështje po merret edhe Komisioni Parlamentar për Mjedis në Kuvendin e Kosovës.

“Ne si komision jemi duke tentuar që ta kuptojmë situatën, jemi në kontakt me Ministrinë e Pushtetit Lokal, me Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Bujqësisë, ta kuptojmë se si kemi ardhë në këtë situatë”, ka thënë Fitore Pacolli, kryetare e këtij Komisioni.

Fitore Pacolli – Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

“Faza e parë është pëlqimi që e lëshon Komuna, pra pse komuna e lëshoi pëlqimin derisa MAPL e ka dërguar lëndën në gjykatë, atëherë ish dashtë me u ndal. Aty është çelësi, sepse aty është dashtë të ndalet”, thotë deputetja e Kuvendit, Fitore Pacolli.

Por, a do të iniciohet formimi i një komisioni hetimor parlamentar?

“Momentalisht nuk ka një komision hetimor parlamentar, sepse ministritë po bashkëpunojnë dhe po na përgjigjen në secilën kërkesë tonën. Komisioni hetimor merr kohë gjashtë muaj kohë, e po presim me procedura të tjera me zgjidh rastin”, tha ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Në anën tjetër, Besim Myrtezani, zëvendës i udhëheqësit të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Pushtetit Lokal ka thënë se vendimet që bën kjo Ministri për ligjshmëri të vendimeve, mund mos të zbatohen nga ekzekutivi lokal.

“Vlerësimi nga ana e institucioneve të nivelit qendror nuk do me thënë që komuna duhet ta zbatojë një vendim ose vlerësim të tillë, komuna ka autoritet”, thotë ai.

Besim Myrtezani – Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

“Vendimi i Kuvendit Komunal mbetet në fuqi derisa komuna mendon që ka të drejtë. Pra, një vendim të cilin e konteston sa i përket ligjshmërisë nga niveli qendror, komuna ka të drejtë ta respektojë dhe ka të drejtë mos ta respektojë”, ka deklaruar Murtezani.