Ilustrim

Qytetari në Pejë dorëzon në polici kuletën me paratë e gjetura

Një qytetar në Pejë është bërë shembull se si qytetarët e tjerë duhet të veprojnë në rastet kur gjejnë para apo diçka tjetër të humbur.

Policia ka bërë të ditur se qytetari Gani Elezaj, nga Peja ka gjetur një kuletë me një shumë të konsiderueshme të parave dhe të njëjtën e ka dorëzuar në polici.

Policia ka njoftuar se derisa qytetari i lartë përmendur ishte duke dorëzuar kuletën me para të gjetura, një qytetar tjetër ka ardhur në Stacionin Policor Pejë për të paraqitur humbjen e kuletës dhe parave.

“Pas verifikimeve të nevojshme nga ana e Policisë, kuleta dhe parat i janë kthyer pronarit. Me këtë rast Policia e Kosovës, falënderon z. ELEZAJ për gjestin e bërë dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare. Urojmë që ky rast,  të jetë shembull i bashkëpunimit edhe më tutje i të gjithë qytetarëve  me Policin e Kosovës”, thuhet në njoftim.