Ilustrim
Qytetari me kushte të vështira kërkoi ndihma dy herë, përfundon në Polici
Ndihmat e shpërndara për shkak te situatës së krijuar nga COVID-19 janë bërë mollë sherri mes administratorit të fshatit dhe qytetarit në Çikatovë të Re të Drenasit apo siç njihet ndryshe Drenas 3.
Banori Nehat Qorri, i cili kishte shkuar të enjten të marrë pako ushqimore, thotë se jo vetëm që nuk arriti të marrë atë që kishte nevojë, por iu hap edhe rast pranë stacionit policor nga Nebih Bajraktari i cili si administrator po shpërndante ndihmat.
Qorri thotë për KALLXO.com se nga kushtet e vështira të mbijetesës kishte kërkuar pako ushqimore për të dytën herë brenda muajit prill, por që nuk iu lejua nga Bajraktari dhe si rrjedhojë ka pasur një fjalosje mes tyre.
“Pata problemin me i siguru bukën për fëmijë tash mu ba edhe një barrë tjetër sepse më ka hap rast në Polici”, shprehet ai.
“Më 23 prill, gjatë shpërndarjes së ndihmave për Drenasin 3 më është bërë e padrejtë nga administratori i kësaj lagje Nebih Bajraktari veç pse kam kerku atë çka me takon [pako ushqimore] më ka dërgu në Polici, më ka hapë rast, demek e kam kërcënu, duke gënjy a aty janë kanë 20 dëshmitarë që s’e ka kërcënu kurrkush, veç pse kam marr ndihma më 1 prill kur i patën shpërnda. S’është veç rasti jem, kam parë edhe tjerë që kanë marrë nga dy herë edhe prej të njëjtës familje. Kënd ka dashtë ai vetë e ka shti në listë’, rrëfen ai.
Ai deklaron se nuk është i regjistruar për ndihmë sociale pavarësisht që askush në familjen e tij nuk punon.
Sipas tij, familja 5-anëtarëshe jeton vetëm më një pagë të cilën e merr nga kompania ku kishte punuar.
“Nuk kemi të ardhuna tjera. Një aksident që kam pësu në vend të punës, firma ma jep një pagë simbolike”, thotë Qorri.
“Që dy vite nuk marrë social, jam kanë edhe pa shtëpi, shumë njerëz me kanë ndihmu, krejt fshati e din që mezi mbijetoj”, shtoi tutje ai.
Lidhur më ketë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me administratorin e Çikatovës së Re, Nebih Bajraktari.
Bajraktari ka pohuar se e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës, pasi që thotë se Qorri ka tentuar të marrë ndihma disa herë dhe si rrjedhojë kanë arritur deri të fjalosja.
“Po të enjten ai [Nehat Qorri] ka ardhur me dhunë me marrë ndihma edhe nuk ka qenë në regjistër por ia kemi marrë. Ka ardhur puna deri te kacafytja me të. Ai ka marrë edhe ma herët ndihma me gru të tij në emër të babës të tij, në fazën e parë kur i ka shkep. Unë e kam zë atë që kanë marrë të dytë pako, por tani pastaj ky, prapë ka ardhë pasi që na prej Komunës e kemi rregull që kush ka marrë një herë mos me marrë dy herë”, thotë ai.
“Rreth tri javë më parë, Qendra për Punë Sociale ka shpërnda nga një thes me lista të veta edhe ne i kemi shpërnda, u ardh edhe aty [Nehat Qorri] më ka thanë pse nuk më ke shti në listë. I kam tregu që nuk e kam unë për detyrë. Kemi pasë fjalë mes veti edhe atë ditë por në fund e mori ndihmën, e të enjten s’e kemi leju”, u shpreh Bajraktari për KALLXO.com.
Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Polici, por deri në momentin e publikimit të këtij raporti nuk kemi marrë përgjigje.