Foto: KALLXO.com

Qytetari ankohet se projekti i Komunës së Prishtinës ia bllokon qasjen në shtëpinë e tij

Shumë shpejt shkrimtari Reshat Sahitaj po pretendon se do të mbetet i bllokuar në pronën e tij, pa mundësi dalje në rrugën “Nekibe Kelmendi”, në Lagjen “Prishtina e Re” të Prishtinës.

Sahitaj ka deklaruar se Komuna e Prishtinës ka nisur ndërtimin e objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Duke qenë se prona e familje Sahitaj, ndodhet prapa parcelës së Komunës, Sahitaj thotë se ndërtimi i këtij objekti do ta lë pa qasje në rrugën “Nekibe Kelmendi’, duke e bllokuar në tërësi.

Reshat Sahitaj ka thënë, në një prononcim për KALLXO.com se me kohë ka kërkuar nga Komuna një zgjidhje për të pasur dalje në rrugë. Madje ai ka thënë se një premtim i tillë atij i është dhënë në 2018.

“Komuna e Prishtinës na ka bllokuar tërësisht, duke na e mbyllur edhe derën e shtëpisë. Në vazhdimësi unë kam kërkuar një zgjedhje nga Komuna. Madje në 2018 na është premtuar zgjidhja. Vazhdoj të kërkoj nga komuna që të na bëjë zgjidhje, duke besuar se do të hasim në mirëkuptimin e saj”, ka thënë ai, për KALLXO.com.

Komuna e Prishtinës nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me problemin dhe zgjidhjen që do të ofrojë në këtë rast për familjen e Reshat Sahitajt, deri në publikimin e artikullit.

Reshat Sahitaj, shkrimtar dhe bashkëveprimtarë i Enver Hadrit, pas luftës është kthyer për të jetuar në Prishtinë. Vite më parë ai ka ndërtuar një shtëpi në pronën aktuale, duke qenë edhe një pagues i rregullt i tatimit në pronë.

 

Foto: KALLXO.com

 

Foto: KALLXO.com

 

Foto: KALLXO.com