Qytetarët u ankuan për mungesë testimesh në IKShPK, flet ministri Zemaj

Sot gjatë ditës, qytetarë të shumtë janë ankuar se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike nuk janë marrë fare mostrat për testim për COVID-19.

Ata kanë dërguar edhe video nga hapësirat e IKShPK-së, ku edhe janë kthyer prapa pasi nuk janë testuar.

KALLXO.com ka provuar të marr një përgjigje nga i pari i IKShPK-së, Naser Ramadani, por ai nuk është përgjigjur në telefon. Ndërkohë, redaksia ka dërguar pyetje te zyrtarët e mediave në këtë institucion shëndetësor, por as nga zyra për medie nuk kanë kthyer përgjigje.

Në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com, ministri i Shëndetësisë ka thënë se sot e ka vizituar IKShPK-në, por nuk ka ndonjë informacion se sa testime janë kthyer.

“Testime ka pasë në vazhdimësi, sot isha edhe vetë prezent, për numër dhe sa janë kryer merrni informacione të sakta në IKSHPK”, ka thënë ai.

Me pretendimet e qytetarëve që thanë se nuk janë testuar sot në IKShPK nuk është pajtuar zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti. Ai tha se sot kanë qenë prioritet pacientët që janë të shtrirë nëpër spitale.

“Nëse në raportin e nesërm të orës 15 del që në 24 oreshin e fundit ka pasur zero testime atëherë mund të thotë dikush që të shtunën nuk ka pasur testime. Por, IKShPK punon 24/7  gjatë pandemisë dhe vikendeve  prioritet janë mostrat e të shtrirve në spitale. Testohen edhe të tjerë por sipas listave të bëra bazuar edhe në udhezimet e QKMF por edhe nga gjurmimi i rasteve të kontaktit të personave që kanë rezultuar pozitiv ditët më parë”, ka thënë Hoti.

Pritje të gjata në IKShPK, disa qytetarë kthehen në shtëpi pa u testuar

www.kallxo.com