Qytetarët të frustruar thërrasin partitë ta krijojnë qeverinë

Resmije Hoxha, e cila ka mbi 40 vjet që jeton në Austri, është shprehur e mllefosur për situatën politike të krijuar në vend  dhe stagnimin e krijimit të institucioneve.

Sipas saj, mospajtimet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes për pozitën e presidentit janë totalisht të paarsyeshme dhe të pavend.

Ajo, para kamerës së KALLXO.com ka thënë se politikanët po fyejnë inteligjencën e qytetarëve sepse ata nuk kanë votuar për president, por për parlament.

“Këto pazare duket se po vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila kërkon Presidentin, por ne nuk kemi zgjedhë President dhe kemi zgjedhë Kuvend. Kemi zgjedhë Parlament dhe nuk e kuptoj pse bëhet këto biseda kur nuk është fjala për këtë post. Neve këto bisedime na duken si një lloj fyerje që politikanët po na bëjnë neve duke menduar se ne nuk i kuptojmë këto gjëra”, tha ajo.

 

Hoxha është shprehur e indinjuar edhe më organizimin e grevave nga sindikata të ndryshme duke thënë se së pari duhet të dinë se kujt po i drejtohen.

Sipas saj, grevat janë të paarsyeshme kur një qeveri është në ikje dhe nuk ka më fuqi në vendimmarrje dhe tjerra qeveri është në ardhje dhe ende nuk ka asgjë në dorë.

Sali Selimi, i cili me shumë pensionistë të tjerë të premten ishte duke luajtur shah, i tha KALLXO.com se situata në vend është shumë keq.

Ai po ashtu, për vendimin e sindikatave, të cilat janë në grevë, tha se nuk po veprojnë drejtë.

“Për ma keq ma nuk ban me kanë, ma keq s’mundet me kanë. Jo pa shkollë, jo atë jo këtë, nuk jemi në ditë për të bërë greva. Tash duhet me i lanë fëmijët të shkojnë në shkollë, jam kundër sindikalistave sepse nuk e kanë mirë kësaj radhe. Gjykata e ka pru vendimin e ne duhet me bë amin sepse nëse është gjykatë e jona duhet ta respektojmë . Edhe u kry e për zgjedhjet këto dy parti po luajnë jo anej e jo knej, nuk po i kuptoj”, tha Selimi.

 

Edhe Nexhat Kamberi, i cili ka punuar në Rilindje për 28 vjet tha se institucionet e vendit duhet të krijohen sepse jemi shumë vonë.

“Parlamenti duhet të bëhet më shpejtë e me rregullu këtë popull e me i rregullu sendet se u bë gjatë”, tha Kamberi.