Foto: Projekti DEMOS/Facebook
"Qytetarët që bëjnë ndryshimin" - MAPL dhe DEMOS shpërblejnë punën e qytetarëve të përfshirë në Auditime Sociale
20 ekipe të Auditimit Social në 12 komuna të Kosovës, janë shpërblyer nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe projekti DEMOS, për punën vullnetare në monitorim të 20 projekteve që janë përkrahur përmes Grantit të Perfomancës Komunale.
Nga secili ekip i Auditimit Social në 12 komunat e Kosovës ku ky projekt është duke u implementuar, një qytetar aktiv e ka marrë çmimin në emër të ekipit në ceremoninë e ndarjes së këtyre çmimeve “Auditimi Social – Qytetarët që bëjnë ndryshimin” që është mbajtur më 10.12.2024.
Në emër të ekipeve të Auditimit Social, qytetarët që morën çmimet janë: Arben Veliu – Skenderaj, Besnik Imeri – Viti, Edona Berisha dhe Tahire Gashi – Klinë, Ganimete Osmani – Lipjan, Arben Morina dhe Eroll Grapci – Pejë, Kamer Podrimqaku – Lipjan, Sokol Balaj – Gjakovë, Veton Kastrati – Malishevë, Valon Raka – Kaçanik, Zoran Stankoviq – Ranillug, Xhemile Krasniqi – Obiliq, Qëndrim Hoxha – Shtime, Mark Pjetraj – Gjakovë dhe Tahir Krasniqi – Drenas.
Mark Pjetraj, kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Gjakovë, i cili po ashtu ka qenë anëtar i ekipit të Auditimit Social në Gjakovë, ka treguar se si puna e tyre si ekip ka ndikuar në përmirësimin e punimeve për t’iu përshtatur edhe personave të verbër, grup të cilit i takon dhe vetë ai.
“E kam ngrit zërin për persona e verbër. Ndërtimi i hapësirave në qendrën e qytetit, ku kishin vendosur shirita orientues në të cilat lëvizin personat e verbër kanë qenë jashtë standardit dhe me disa pengesa. Kemi gjetur se edhe akustika e semaforëve kohë pas kohe nuk ka qenë funskionale dhe disa parkingje për personat me nevoja të veçanta kanë qenë jashtë standardeve. Përmes Auditimit Social kemi arrit t’i rregullojmë këto probleme” – tha Pjetraj.
Xhemile Krasniqi, qytetare e Obiliqit tha se ekipi i Auditimit Social i kësaj komune ka pasur gjithpërfshirje gjinore dhe të komuniteteve.
“Kemi dalë në terren, i kemi verifiku nga afër punimet e kontratës që i kemi monitoru” – tha ajo, duke vlerësuar këtë nismë.
Qytetarët vlerësuan edhe bashkëpunimin që komunat kanë treguar me ekipet e Auditimit Social gjatë këtij procesi.
Drin Haraqija, udhëheqës i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale në MAPL, tha se ky projekt ka përmirësuar llogaridhënien, transparencën dhe marrëdhnien qytetarë – komunë.
“Janë përmirësuar disa aspekte në realizmin më të duhur të investimeve publike, për shkak se vetë inkurajimi dhe angazhimi i qytetarëve ka kontribuar që të kemi llogaridhënie dhe kontroll më të madh në investimet publike. Bashkë mund t’ia dalim më mirë” – tha Haraqija.
Menaxheri i projektit DEMOS, Ertan Munoglu, tha se ky projekt ua ka mundësuar qytetarëve që të jenë më aktivë e të ngirisin zërin për çështje që ndikojnë në mirëqenien e tyre dhe të jenë më të informuar për të drejtat e tyre.
“Raportet e hartura janë diskutuar me kryetarë të komunave dhe në kuvende komunale. Si rezultat i tyre, shumë komuna kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e projekteve apo investime shtesë për të adresuar kërkesat e qytetarëve” – tha ai.
Në emër të donatorëve, Kreshnik Basha, menaxher i programit në Ambasadën e Suedisë falënderoi qytetarët, komunat dhe organizatat për punën e tyre.
“Një administratë publike që zhvillon transparencën, bashkëpunimin me qytetarëve dhe llogaridhënien, e përmirëson jetën e tyre dhe kontribuon në mirëqenien e tyre. Angazhimi ynë për me i mbështet iniciativa të tilla do të vazhdojë” – shtoi ai.
Pas punës disa mujore në trajnim, monitorim të implementimit të projekteve, analizim të dokumenteve, vizita në terren e takime me zyrtarë komunalë, qytetarët kanë hartuar raporte dhe kanë nxjerrë qindra gjetje e rekomandime për komunat. Raportet e ekipeve të Auditimit Social do u janë dorëzuar edhe komunave përkatëse ndërsa kryetarët janë zotuar për zbatim të tyre.
Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS), i cili bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian, Qeveria zvicerane dhe Qeveria suedeze dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovë, mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.
Si koncept i ri në Kosovë, Auditimi Social nisi të implementohet nga DEMOS dhe organizata të shoqërisë civile në vitin 2022 për t’u vazhduar më pas në vitin 2023 dhe në vitin 2024 nga DEMOS dhe MAPL.
Gjatë vitit 2024, BIRN dhe D+ me mbështetjen e DEMOS ndihmuan në themelimin 11 ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komuna, Gjakovë, Pejë, Klinë, Malishevë, Lipjan dhe Obiliq. Ndërsa organizata KLGI me mbështetjen e MAPL-së ndihmuan në themelimin e ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komuna të tjera, Skenderaj, Drenas, Viti, Kaçanik, Rranillug dhe Shtime.