Qytetarët protestojnë kundër Asociacionit

Dhjetra qytetarë janë duke protestuar kundër “imponimit” të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Me dhjetra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Zahiri Pajaziti” në Prishtinë, më pas kanë vazhduar deri tek Qeveria e Kosovës duke bërë thirrje që të mos bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në anën tjetër gjatë kësaj kohe ambasadori amerikan Jeff Hovenier është në një takim me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin.

Takimi ishte paralajmëruar se do të mbahet në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, ku pritet të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm edhe nga shoqëria civile.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka konfirmuar për KALLXO.com se u ka bërë ftesë të dy zyrave, asaj të kryeministrit dhe presidentes, për takimin e 31 janarit ku pritet të diskutohet për çështjen Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka pasur ftesë të personalizuar për këtë takimi.

Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com tha se për takimin në fjalë ftesë ka pranuar shefi i Stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë.

“Në takime, diskutime e ngjarje të ndryshme në të cilat merr pjesë Kryeministri, zakonisht atyre ju paraprijnë edhe ftesa e dedikuar dhe e personalizuar për Kryeministrin. Një ftesë të tillë nuk ka pasur në këtë rast. Për takimin në fjalë, ftesë ka pranuar Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë” – ka thënë Kryeziu.

Ai theksoi se zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi dhe ministri për Komunitete dhe Kthim kanë pranuar ftesa specifike për ta.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane tha se në këtë diskutim pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e stafit të dy zyrave duke shtuar se kanë ftuar grupe të ndryshme liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë e diplomatë.

“Ne po ftojmë një grup të ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar këtë temë të rëndësishme. Ambasadori Hovenier ka prezantuar këtë takim me Kryeministrin dhe Presidenten dhe u bëri ftesa të dy zyrave të tyre.  Anëtarët e stafit të të dy zyrave kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre” – thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikanë në Prishtinë.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin e AKS-së, në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të qëndrueshëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”- është shprehur një zëdhënës i Ambasadës.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.