Qytetarët me asistencë sociale nga nesër do t'i marrin pagesat

Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar sot se përfituesit e asistencës sociale do të mund t’i marrin të hollat që nga nesër.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Financave dhe Transfereve, sot është urdhëruar Thesari të bëjë procesimin e të hollave për 24,198 familje.

“Përfituesit e kësaj skeme mjetet financiare mund ti tërheqin nga nesër më 24 mars 2020, pagesa të cilat bëhen afër 10 ditë para afatit të zakonshëm, për shkak të gjendjes së krijuar”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se nesër këto familje do t’i marrin përnjëherë të hollat për dy muaj.

Po ashtu, ministria ka njoftuar se gjatë ditës së sotme Thesari ka urdhëruar procesimin e pagesës së skemës për “Masat aktive të tregut të punës” të Agjencisë së Punësimit.

Ministria ka lutur të gjithë qytetarët të bëjnë kujdes dhe të tërheqin mjetet në kohën kur nuk ka shumë lëvizje në mënyrë që të parandalohet përhapja e coronavirusit.

Kryeministri Albin Kurti në një postim në rrjetet sociale ka njoftuar se përfituesit e skemave sociale të martën do marrin pagesën për dy muaj ndërsa njëra pagesë do jetë ekstra për shkak të krizës së coronavirusit.

“Do i transferojmë ndihmat sociale të martën dhe atë për dy muaj në vijim. Pagesa e muajit në vijim nuk do llogaritet që do të thotë se do të falet” ka thënë Kurti në postimin e tij.

Coronavirusi, Qeveria planifikon që ndihmat sociale t’i japë për 2 muaj