Ilustrim

Qytetarët janë lidhur ilegalisht në gypin e ujit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

Në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen “Mati 1” e cila ka hyrë në javën e tretë të rikonstruktimit, janë gjetur disa lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit. Për më tepër, punimet në këtë rrugë kanë nxjerr në pah një situatë tërësisht johumane, pasi dyshohet se disa qytetarë janë lidhur ilegalisht në gypin e ujit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, madje në gypin i cili bënë furnizim emergjent.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në komunë, Gëzim Mehmeti.

“Dyshohet së lidhjet janë bërë pa leje, janë ilegale. Përveç në gypin që i furnizon qytetarët, lidhjet janë bërë edhe në gypin që e furnizon Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (furnizimi ka karakter emergjent)”, është shprehur Mehmeti.

Sipas tij, gjatë punimeve janë gjetur disa lidhje që janë realizuar në gypin kryesor të furnizimit me ujë të pishëm për qytetarët e lagjës “Mati 1”, më saktësisht në rrugën “Muharrem Fejza”.

“Gjatë punimeve në rrugën “Muharrem Fejza” po hasim në kyçje ilegale në rrjetin e furnizimit me ujë. Këto kyçje të shumta, të pa evidentuara, po i vështirësojnë punimet”, ka shkruar Mehmeti në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Punimet në rrugën “Muharrem Fejza” kanë filluar në fund të muajit prill dhe pritet të zgjasin 120 ditë pune.

Kostoja e këtyre punimeve pritet të shkojë deri në 700 mijë euro.

Foto: Gezim Mehmeti, Facebook
Foto: Gezim Mehmeti, Facebook