Qytetarët e testuar në Podujevë nuk janë të infektuar me coronavirus

Dy persona të cilët kanë shfaqur simptoma të ngjashme me virusin corona janë dërguar në Klinikën Infektive në QKUK për t’iu marrë mostrat dhe për t’iu bërë analizat nga ana e Institut të Shëndetit Publik.

Dy qytetarët janë nga Komuna e Podujevës. Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Drejtori i Spitalit të Komunës së Podujevës, Fahri Llugaliu.

Drejtori tha se për njërin nga personat që i janë bërë analizat kanë dalë rezultatet negative ndërsa për një tjetër janë duke pritur ende.

“Deri më tani s’kemi të dyshuar. Një rast ka shku dje një rast sot, ai i ditës së djeshme ka dalë negative ndërsa për këtë tjetrin sot pritet të dalin rezultatet por diçka serioze nuk ka, ende nuk ka konfirmim zyrtar që ndonjë qytetar i Podujevës është i konfirmuar me coronavirus”, tha drejtori Llugaliu.

Ai shtoi se po haset në vështirësi pasi që simptomat e virusit normal dhe coronavirusit janë thuajse të njëjta.

“Shenja të njëjta është problem me i dallu, shenjat e virusit normal prej shenjave të coronavirus këtë e ka thënë edhe ISHP dhe ne si mjek e kemi problem, mirëpo të ndonjë rast që shohim ndryshim atëherë në i transferojmë në QKUK në Repartin e Infektivës”, shtoi tutje drejtori.

Ai madje hodhi poshtë raportimet e mediave të tjera të cilët kanë raportuar se janë konfirmuar raste në Podujevë me coronavirus.

“Jo nuk ka asnjë rast të dyshuar e kanë shpërndarë portalet nuk e di ka e kanë marrë ifnromacionin por nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me coronavirus në komunën tonë”, tha në fund Llugaliu.

Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme janë konfirmuar tre rastet e para me coronavirus.

Një 77 vjeçar, një 39 vjeçar nga Vitia dhe një 22 vjeçare në Klinë kanë dalë pozitiv pas analizave të kryera për virusin corona.

Të njëjtit janë me gjendje stabile dhe janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Kështu ka raportuar para mediave Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Tutje, një fshat në Viti dhe një qendër e fëmijëve të braktisur në Klinë janë izoluar për të ndërmarrë masat parandaluese për shpërndarjen e coronavirusit.

Konfirmohet rasti i tretë me coronavirus në Kosovë

.