Qytetarët e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut votojnë sot

Qytetarët e dy komunave të Kosovës, Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, do të votojnë sot nga ora 07:00 për të zgjedhur kryetarët përkatës të komunave të tyre.

110 mijë e 694 qytetarë do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen sot në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 87 mijë e 381 votues do të jenë në Podujevë ndërsa 23 mijë e 313 votues në Mitrovicë të Veriut.

Numri i qendrave të votimit në Podujevë do të jetë 45 ndërsa ai i vendvotimeve do të jetë 115.

Sipas KQZ, në Mitrovicë Veriore, numri Qendrave të Votimit do të jetë 7 ndërsa do të jenë 27 vendvotime.

Për qytetin e Podujevës do të garojnë: Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurse në zgjedhjet për Mitrovicën Veriore garojnë katër kandidatë: Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur,  Milan Radojeviq nga Lista Serbe dhe Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur 29 nëntorin si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.