Autoambulanca - Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Qytetarët e Malishevës po kanë problem të mjekohen në spitale për sëmundje të tjera

Komuna e Malishevës është komuna me më së shumti të infektuar nga COVID-19. Deri më tani në këtë komunë janë 69 të infektuar, një i vdekur dhe 15 të shëruar.

Si pasojë e përhapjes së sëmundjes, territori i kësaj komune është futur në karantinë tash një muaj.

Ndalimi i hyrje-daljeve në këtë komunë po u shkakton probleme banorëve, familjarët e të cilëve po vuajnë nga sëmundje të tjera dhe duhet t’i dërgojnë për mjekim jashtë kësaj komune apo duhet vizituar ata që tashmë janë duke u mjekuar.

Këtë shqetësim e ka shprehur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Nuhi Morina.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk po na lejon me shku me vetura private në Prishtinë. Të gjithë pacientët duhet ne me i dërgu me autoambulancë për mjekim të cilët kanë nevojë qoftë për dializë qoftë për kimioterapi apo për ndonjë sëmundje kirurgjikale, të cilat nuk kryhen në Malishëvë”, u shpreh Morina për KALLXO.com.

Morina thotë se janë nga katër shoferë paradite dhe mbasditë si dhe dy në mbrëmje, të cilët i dërgojnë pacientët jashtë Malishevës për mjekim.

“Janë katër shofera paradite, katër masdite, dy natën, me i dërgu të gjithë pacientët kush ka nevojë qoftë për lindje ose me i marrë pacientët që kanë qenë në spital të gjithë ne duhet me shku me i marrë. Gjithashtu edhe qytetarët që janë në karantinë në konvikte duhet me shku me i marrë ne” , potencoi ai.

Tutje, drejtori thotë se Ministria e Punëve të Brendshme duhet t’u japë një udhëzues në mënyrë që pacientët të dalin jashtë Malishevës me vetura të tyre personale.

“Së paku me u dhënë një formular që me udhëzu e me shku direkt në klinikë. Shumë problem po e kemi. Ata me dëshirë shkojnë me vetura të tyre private, kanë maska mbrojtëse, dorëza, por nuk po na lejon Ministria e Punëve të Brendshme, nuk po na lejon Policia”, tha Morina.

Ndërsa, kryetari i Komunës, Ragip Begaj, thotë se për këtë çështje do të bisedojë nesër me Ministrinë e Shëndetësisë.

” Nesër do të diskutojmë, sepse e kemi pasur një rast me një pacient, ku e kanë dërguar për shërim në Prishtinë, nuk e kanë lejuar me hy brenda, Prishtina e ka kthyer në Gjakovë dhe kur e kanë parë që është me emergjencë e kanë dërguar prapë në Prishtinë dhe tashmë është në Prishtinë”, u shpreh Begaj për KALLXO.com.

Tutje ai thotë se kufizimi i lëvizjeve në këtë komunë është drastik, dhe se rastet e personave të sëmura të cilët nuk po u lejohet të dalin jashtë Malishevës nuk po i bënë të ndihen mirë.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme ku  thonë se nëse pacienti ka raport të mjekut atëherë nuk i duhet leje e veçantë.

“Nuk ka leje të veçanta për raste shëndetësore. Nëse pacienti ose qytetari ka raport të mjekut specialist,  dhe paraprakisht udhëzohet me urgjencë dhe është pranu nga klinika e Prishtinës atëherë nuk i duhet leja e veçantë, pra vetëm rastet shëndetësore urgjente kanë prioritet”, thanë nga kabineti i MPB-së.