Foto: KALLXO.com

Qytetarët e Kryeqytetit në hall nga prindërit, që me vetura sjellin e marrin fëmijët në shkollë

Trafiku i ngarkuar është bërë përditshmëri për qytetarët e Prishtinës. Mirëpo, tollovi edhe më e madhe në trafik po bëhet kur prindërit po dërgojnë e marrin fëmijët në shkollë.

Qytetarë të Kryeqytetit janë ankuar se me probleme të tilla po përballen sidomos në rrugën “Enver Maloku”, në lagjen “Kodra e Diellit”.

Për të vërtetuar pretendimet e tyre, ekipi i KALLXO.com për disa ditë rresht ka qëndruar afër shkollës fillore “Ismail Qemali”, në oraret që i kanë përmendur qytetarët.

Pamjet e marra me dron dhe kamerë në orarin e mesditës: 12:45-13:15 e pasdites: 16:00-16:30 tregojnë ngarkesë të madhe të trafikut.

Situatën e rëndojnë sidomos veturat e parkuara në rrugë e trotuare, nga prindërit e fëmijëve që vijojnë mësimin në shkollën “Ismail Qemali”.

Shqetësime, për gjendjen që po krijohet në trafik, shprehin edhe banorët që jetojnë në këtë zonë.

Pamjet që tregojnë gjendjen mund t’i shihni KËTU.

Madje, banorët si zgjidhje të vetme për lehtësimin e trafikut të ngarkuar e shohin dërgimin e marrjen e fëmijëve në shkollë këmbë.

“Unë këtë problem e kam zgjidhur sepse vij këmbë. E sjell edhe vij e marr këmbë djalin. Unë mendoj që – në perimetrin deri në dy-tri kilometra veç e shëndetshme – është me ecë këmbë; edhe kontribuojmë në këtë tollovinë që po bëhet.” – ka thënë qytetari Vedat Maxhuni.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe qytetari Enver Dermaku.

“Është bërë zakon, 50 metra e hyp fëmijën në kerr edhe e sjell në shkollë. Në qoftë së është një kohë e keqe është e kuptueshme, por koha me diell edhe me ardhë me i bo këto probleme,… edhe ka shumë ngarkesë.” – ka thënë Enver Dermaku.

Ndërkaq, qytetarja Arta Terstena thotë se i duhet planifikim për të arritur në kohë për shkak të kolonave që bëhen në këto orare.

“Duhesh me planifiku shumë ma herët, për më sjellë fëmijën për shkak të kolonave, se është e tmerrshme. Edhe qarkullimi i fëmijëve është shumë i madh dhe prej kolonave as nuk ke ku me ecë.” – thotë Arta Terstena.

Kjo gjendje është bërë e lodhshme edhe për shoferët e autobusëve, të cilët përjetojnë çdo ditë ngarkesën e rrugëve të Prishtinës.

“Neve asnjëherë përparësi nuk na japin, që jemi me autobusë. Ne çdo ditë japim provimin për vozitje sa jemi shoferë të mirë në qeto rrugë. Çdo ditë i thejmë rregullat për shkak të parregullsive që janë në komunikacion.” – thotë shoferi i “Trafikut Urban”, Feti Bunjaku.

Shoferi i “Trafikut Urban”, Ejup Zubaku, i linjës 3C, që kalon nëpër rrugën “Enver Maloku”, e sheh të nevojshme patrullimin e shtuar të Policisë, në oraret kur fëmijët fillojnë dhe mbarojnë mësimin.

“I kisha sugjeruar organet kompetente, sidomos Policinë, së paku në shkollat ku është frekuentimi më i madh i nxënësve me pasë kujdes. Dhe s’paku një polic me qenë në orarin kur shkojnë në mësim.” – ka thënë Ejup Zubaku.

Komuna e Prishtinës është në dijeni për këto telashe dhe për zgjidhjen e kësaj problematike. Thonë se janë duke punuar përmes planeve komunale në bashkëpunim me drejtoritë përgjegjëse dhe “Trafikun Urban”.

“Në disa prej shkollave i kemi këto probleme dhe po shpresojmë që ta zgjidhim në mënyrë pak me të veçantë – duke bashkëpunuar me Drejtorinë e Shërbimeve Publike – bashkë me “Trafikun Urban”, që fillimisht të kemi një plan operacional. E kjo të bëhet gjatë periudhës së pushimeve.” – thotë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë më së miri për ngarkesën në rrugën “Enver Maloku”.

Policia e Kosovës, për KALLXO.com, ka konfirmuar se nga data 01.09.2024 deri me datën 20.11.2024 janë shqiptuar 1,300 gjoba “për parkim në trotuar e shirit të rrugës”.

“Në rrugën ‘Enver Maloku’ në Prishtinë, nga data 01.09.2024 deri më 20.11.2024 janë shqiptuar rreth 1,300 gjoba “për parkim në trotuar dhe shirit të rrugës.” – thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.